Politike
Alqi Bllako arrestohet në sallën e gjyqit
TIRANË- Vetëm 34 ditë ka zgjatur liria e ish-deputetit socialist Alqi Bllako. Apeli i GJKKO ka vendosur të rikthejë në qeli Bllakon, pas ankimit të SPAK. Nga masa e sigurisë ‘arrest shtëpie’, gjyqtarja Ilirjana Olldashi vendosi sot masën ‘arrest me burg. Bllako u arrestua në sallën e gjyqit. Ku vendim i Apelit të Gjykatës së Posaçme vjen pasi GJKKO liroi Bllakon më 6 tetor dhe i zbuti masën e sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”. Gjykata mori parasysh se duhet të kujdeset për 3 fëmijët e mitur pasi gjendja e familjes së tij është e rënduar dhe pa përkujdesje, sepse bashkëshortja e Bllakos është e punësuar dhe lëviz nëpër rrethe. Por ky vendim u apelua nga SPAK. Alqi Bllako akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre, pasi sipas SPAK falsifikoi dokumente shpronësimi për një tokë që nga arë ishte kthyer në truall dhe dokumentet e falsifikuara i janë paraqitur Këshillit të Ministrave, tokë mbi të cilën do ndërtohej inceneratori i Fierit.
Kjo shkelje, sipas SPAK, u bë në bashkëpunim me ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe kryetarin e shpronësime, Pëllumb Abeshi. Në dëshminë që ka dhënë më herët në SPAK, Bllako deklaroi se nuk ka pasur asnjë rol vendimmarrës në Ministrinë e Mjedisit në postin e sekretarit, teksa shtoi se thjesht ka përcjellë shkresën te Këshilli i Ministrave.
Po për inceneratorin e Fierit, pas hekurave është edhe ish-ministri i mjedisit Lefter Koka, i cili gjithashtu kërkon zbutjen e masës së sigurisë, nga arrest me burg në arrest shtëpie.