Kronike
Alqi Bllako betohet për ndershmëri
SPAK ka sqaruar edhe një herë se Alqi Bllako ka përfituar 15 mln lekë nga Inceneratori i Fierit përmes punësimit fiktiv të babait të tij.
“Nga hetimet e kryera kanë rezultuar të dhëna se nga ana e shtetasit Alqi Bllako, gjatë kohës që ka shërbyer në fillim me funksionin e lartë shtetëror, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe më pas Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare Ujësjellës Kanalizime dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM), është favorizuar shoqëria koncesionare “Integrated Technology Ëaste Treatment Fier” sh.p.k., kundrejt propozimit dhe marrjes në mënyrë të tërthortë të përfitimit të parregullt në shumën prej 14,964,900 (katërmbëdhjetë milion e nëntëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e nëntëqind) lekë. Kjo vlerë përfitimi është siguruar në trajtën e pagës së dhënë babait të tij, Edmond Bllako, duke e paraqitur si i punësuar “Drejtor Kantieri” tek shoqëria koncesionare e ndërtimit të Inceneratorit të Tiranës “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k, në pagën mujore 6000 (gjashtë mijë) euro, pagesa të realizuar për periudhën tetor 2018 deri në janar 2020. Rezulton se administratorët e shoqërisë koncesionare “Integrated Energy BV SPV” (ku edhe këtu shtetasi Alqi Bllako ka patur rolin e tij në funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit) nëpërmjet veprimeve të kundraligjshme të tyre, e kanë pasqyruar si të punësuar shtetasin Edmond Bllako, duke bërë pagesa fiktive për shtetasin Edmond Bllako, ndërkohë që rezulton e provuar se këto pagesa janë përfitime të parregullta nga shtetasi Alqi Bllako”, bën me dije SPAK.
…
Vetëm 34 ditë ka zgjatur liria e ish-deputetit socialist, Alqi Bllako. Apeli i Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka vendosur dje të rikthejë në qeli Bllakon, pas ankimit të SPAK. Nga masa e sigurisë ‘arrest shtëpie’, gjyqtarja Ilirjana Olldashi vendosi dje masën ‘arrest me burg. Po kush janë arsyet që ish-deputeti socialist zhgënjeu prokurorët e SPAK dhe pse ai u tërhoq nga dëshmitë që fundosnin “peshqit e mëdhenj” të Inceneratorëve? Sipas informacioneve, mësohet se prokurorët dhe gjyqtarët e kanë kthyer çështjen e aferës së inceneratorëve në pikën zero, për shkak se zoti Bllako theu premtimin që do të bashkëpunonte me drejtësisë, si rruga e vetme që do të ndihmonte Strukturën e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit që të çonte pas hekurave kokat “VIP” të përfshirë në aferën milona euro të inceneratorëve. Mësohet se Bllako është kërcënuar e shantazhuar dhe madje i mesazhet i kanë shkuar edhe tek porta, duke i kërkuar që të mbyllë gojën e të mos çojë ndërmend të flasë me emra të përveçëm. I ndodhur përpara kësaj situate, ai refuzoi të bashkëpunonte me SPAK, për të çuar përpara hetimet e kësaj megaaferë. Kështu që të ndodhur përpara këtij rebusi, gjyqtarët e SPAK vendosën ta kthejnë ish-deputetin në qeli, ndonëse të njëjtët gjyqtarë që e liruan rreth një muaj më parë, e arsyetuan vendimin e lirimit, se zotit Bllakos i kërcënohej jeta në burg, andaj e do të kryej dënimin në “arrest shtëpie”. Kujtojmë Bllako u arrestua në sallën e gjyqit. Ky vendim i Apelit të Gjykatës së Posaçme vjen pasi GJKKO liroi Bllakon më 6 tetor dhe i zbuti masën e sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”. Gjykata mori parasysh se duhet të kujdeset për 3 fëmijët e mitur pasi gjendja e familjes së tij është e rënduar dhe pa përkujdesje, sepse bashkëshortja e Bllakos është e punësuar dhe lëviz nëpër rrethe. Por ky vendim u apelua nga SPAK.
Reagon avokati i Bllakos
Avokati i ish-deputetit të Partisë Socialiste, Alqi Bllako, i cili me vendim të Gjykatës së Apelit të SPAK u rikthye në burg për çështjen e inceneratorëve, është shprehur se i duket absurd ky vendim dhe se pret të marrë në dorë arsyetimet e Gjykatës së Posaçme të Apelit.“Nuk e di se për cilat arsye, përkundër sjelljeve të Bllakos, që ka lënë mandatin e deputetit, të vendosej kjo masë. Është paraqitur para organeve të drejtësisë. Si mund të prishë provat kur hetimi ndaj kësaj çështje është duke përfunduar. Se mendoj se kishte arsye që gjykata e Posaçme e Apelit të mbante qëndrim ndryshe. E vërteta është se në këtë vend, në këtë gjykatë është kthyer një fabul popullore ; ik se të vrara, dhe zbrit se të vrava. Për të njëjtat arsyeje për të njëjtat shkaqe procedurale. Gjykata e Apelit mbajti qëndrim të cilin se ka arsyetuar akoma. Bllako u lirua më herët se nuk përbente rrezik për prishjen e provave. Ajo që nuk kuptoj është se ‘arresti me shtëpi’ dhe ‘arresti në burg’ janë e njëjta gjë. Bllako erdhi vetë në gjykatë se nuk përbën rrezik. Bllako në rastin konkret nën hetim, nuk është person i zgjedhur, referenca ndaj tij është e gabuar. Do bëjmë rekurs në Gjykatën e Lartë.”, tha avokati Sokol Hazizaj. I pyetur se a ishte e drejtë që Alqi Bllako të ishte i lirë ndërsa Lefter Koka në burg, avokati tha se nuk duhet ngatërruar pozicioni procedural i Alqi Bllakos me të Kokës. Ndërsa nëse klienti i tij është pyetur apo për inceneratorin e Tiranës, Hazizaj u shpreh se nuk është pyetur. “Nuk është pyetur dhe nuk ka asnjë lloj indicie që do të më motivonte mua të jepja një përgjigje tjetër”, tha ai.
…
Akuzat ndaj Alqi Bllakos
Ndërkohë, Alqi Bllako akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre, pasi sipas SPAK falsifikoi dokumente shpronësimi për një tokë që nga arë ishte kthyer në truall dhe dokumentet e falsifikuara i janë paraqitur Këshillit të Ministrave, tokë mbi të cilën do ndërtohej inceneratori i Fierit.Kjo shkelje, sipas SPAK, u bë në bashkëpunim me ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe kryetarin e shpronësime, Pëllumb Abeshi. Në dëshminë që ka dhënë më herët në SPAK, Bllako deklaroi se nuk ka pasur asnjë rol vendimmarrës në Ministrinë e Mjedisit në postin e sekretarit, teksa shtoi se thjesht ka përcjellë shkresën te Këshilli i Ministrave. Po për inceneratorin e Fierit, pas hekurave është edhe ish-ministri i mjedisit Lefter Koka, i cili gjithashtu kërkon zbutjen e masës së sigurisë, nga arrest me burg në arrest shtëpie.