Connect with us

Kosova

Ambasada në Hënë e Kosovës/ Daçiç: Kurrë në Beograd…

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, duke reaguar ndaj faktit se në faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, Serbia përmendet në rubrikën e ambasadës, ka theksuar se Prishtina do të hapë ambasadë në Hënë dhe jo në Beogradi.

Daçiç tha se kjo është një gënjeshtër brutale dhe theksoi se Prishtina nuk ka, nuk mund ta ketë dhe as do të ketë përfaqësinë e saj diplomatike në Beograd, pavarësisht se si mundohen ta prezantojnë atë në opinion.

“Në Beograd janë të akredituara 72 misione të huaja diplomatike dhe konsullore në nivel të ambasadave, të cilat përfaqësojnë shtete sovrane dhe të pavarura, gjë që Kosova e vetëshpallur nuk është dhe as që do të jetë kurrë” – theksoi shefi i diplomacisë serbe.

Ai shtoi se gjatë dialogut teknik, i cili vazhdon që nga viti 2008, Beogradi dhe Prishtina janë pajtuar për vendosjen e oficerëve ndërlidhës, të cilët fizikisht ndodhen në ambientet e delegacioneve të BE-së në Beograd dhe Prishtinë. Oficerët ndërlidhës nuk kanë status diplomatik, sqaron Daçic dhe shtoi se ata nuk paraqesin pikënisje për hapjen e ambasadave, por kanë për detyrë të ndihmojnë në komunikimin e ndërsjellë dhe të mbikëqyrin zbatimin e marrëveshjeve të arritura.

“Asnjëherë nuk është folur për hapjen e ndonjë ambasade apo për t’i dhënë ambasadave kompetencat që kanë. Dhe për të ndërtuar mbi këtë frymë fantastiko-shkencore nga Prishtina, dua t’u them atyre se ata më mirë do të ishte të hapnin një ambasadë në Hënë sesa në Beograd.” –  theksoi Daçiç

Advertisement