Bota
Ambasadori amerikan i vë kapakun: Pa Turqinë s’bëhej paqja në Gaza
Një deklaratë e fortë nga ambasadori amerikan në Turqi, Tom Barrack, ka vënë në pah rolin vendimtar të Turqisë në arritjen e armëpushimit në Gaza, duke theksuar se “pa Ankaranë, marrëveshja nuk do të ishte realizuar”.
Sipas Barrack, marrëdhëniet e ngushta të Turqisë me Hamasin – të cilin Ankaraja nuk e ka shpallur organizatë terroriste – ishin thelbësore për të bindur fraksionet e fundit të rezistencës palestineze të pranonin marrëveshjen.
“Turqia luajti rolin e ndërmjetësit të besueshëm, në një moment kur shumë kanale diplomatike ishin bllokuar”, tha Barrack gjatë një paneli ku mediat ishin të pranishme.
Ndërkohë që marrëdhëniet mes Presidentit turk Recep Tayyp Erdogan dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu mbeten të tensionuara – me akuza të ndërsjella për “qëllime ekspansioniste” – Barrack thekson se asnjëra palë nuk ka interes të përshkallëzojë konfliktin.
“Retorika politike është një gjë, realpolitika është tjetër. Në terren, të dyja palët e dinë se pa bashkëpunimin turk, procesi do të ngecej”, shtoi ai.
Barrack konfirmoi gjithashtu se Turqia do të jetë pjesëmarrëse në fazën e ardhshme të zbatimit të armëpushimit, përfshirë mekanizmat e mbikëqyrjes së ndihmave humanitare dhe dialogun për rindërtimin e Gazës.
“Për momentin, gjithçka qëndron e ngrirë, por Turqia është në tryezë”, deklaroi ai, duke lënë të kuptohet se përfshirja turke është tashmë e pranuar edhe nga SHBA-të.
