Kosova
Ambasadori amerikan: Serbia e di mirë cili është detyrimi i saj
Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, duke folur për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se kjo është një çështje para së gjithash për të dërguarin special të BE-së, Miroslav Lajçak, por shtoi se Serbia duhet të orientohet me drejtim nga Evropa.
“Serbia e di se çfarë duhet të bëjë dhe vendimi i takon asaj”- ka thënë Hill për agjencinë serbe të lajmeve “FoNet”.
Duke folur për pritshmëritë për vitin e ardhshëm, ai shprehu shpresën se vendet kandidate për anëtarësim në BE, si edhe Serbia, do ta shqyrtojnë seriozisht Planin Ekonomik për Rritje të paraqitur nga Komisioni Evropian.
I pyetur se si e konsideron fushatën zgjedhore në Serbi, Hill theksoi se po qëndron jashtë asaj, pasi ai voton në Florida të SHBA-së.
“Çdo përpjekje për të më rekrutuar në fushatë do të jetë e pasuksesshme dhe është 100 për qind në dorën e qytetarëve të Serbisë që të vendosin”, ka thënë Hill.