Kosova
Ambasadori britanik në Serbi KUNDËR Vuçiç: Mbështesim anëtarësimin e Kosovës në KiE
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Serbi, Edward Ferguson, ka thënë se Londra e mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në organizatat tjera ndërkombëtare.
“Sikurse shumë vende të Bashkimit Evropian, evropiane dhe vende të tjera, ne e konsiderojmë Kosovën shtet të pavarur. Britania e Madhe dëshiron që ta shohë Kosovën në KiE dhe organizatat e tjera, kur kushtet të jenë të pjekura për këtë”, ka thënë Ferguson për mediat në Serbi. Ferguson ka thënë se dëshiron që të shohë progres në formimin e Asociacionit. “Në të njëjtën kohë, duam të shohim progres në formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Kjo duhej të ndodhte kohë më parë, sepse është obligim nga Marrëveshja e Brukselit”, ka thënë ai.
Gjithashtu, ambasadori britanik në Beograd ka theksuar se është me rëndësi që të zbatohet edhe Marrëveshja e Ohrit.