Kosova
Ambasadori shqiptar godet Lavrov në OKB: Të është bërë Kosova obsesion
Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, sërish ka zënë në gojë Kosovën gjatë diskutimeve për Ukrainën në Këshillin e Sigurisë së Kombeve të Bashkuara. Mirëpo i njëjti ka marrë përgjigje nga ambasadori i Shqipërisë në këtë institucion, Ferit Hoxha, që i ka thënë zyrtarit rus se Kosova i është bërë obsesion.
Gjatë fjalës së tij në OKB, Lavrov tha ndër të tjera se institucionet në Prishtinë, nuk mund të përfaqësojnë interesat e serbëve që jetojnë në Kosovë, njëjtë si Kievi nuk mund të përfaqësojë rusët në Donbas e Krime.
Mirëpo, ambasadori i Shqipërisë në OKB, u shpreh se Rusia nuk mund të përmend Kosovën, shtet që njihet nga më shumë se gjysma e anëtarëve të Kombeve të Bashkuara, për të justifikuar veprimet e tyre.
Sipas Hoxhës, drejtësia ndërkombëtare e ka konfirmuar se pavarësia e Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe kjo çështje është e mbyllur.
“Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vendosur se pavarësia e Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, e njëjta GJND ka kërkuar që Rusia të ndalojë luftën e saj, prandaj nuk ka asgjë që tingëllon më e zbrazët sesa përpjekja e dëshpëruar për të justifikuar të pajustifikueshmen, dhe përpjekja e saj për t’u fshehur pas të papranueshmes”, deklaroi ambasadori i Shqipërisë në OKB.