Connect with us

Shkrime

Amerika më do mua/ Çadra e Trump nuk e mbron dot Ramën nga furtuna që po vjen

Nga Sonila Meço 
Çdo deklaratë publike, postim në X, batutë në Podcast, hakërrim ndaj të vetëve në mbledhje qeverie e partie duhet kuptuar veç me një manual psiko-analitik përpara, atë mbi frikën nga rënia para kohe nga pushteti.

Kryeministri nuk po kërkon ta fitojë Trump-in. E di që e ka të humbur këtë betejë. Trump nuk ofron çadër morale dhe nuk i mbron liderët për t’i shpëtuar nga krizat e brendshme.

Sado mjeshtër PR-i ta konsiderojë veten kryeministri, Shqipëria si vepër e tij nga Uashingtoni duket e varfër, e super korruptuar, pa peshë, e parashikueshme dhe e varur.

Ndaj Rama e di më mirë se kushdo se Trump-in nuk e fiton dot, por po rreket të bëjë tjetrën, të neutralizojë idenë e rënies.

Duke fituar kohë, sa e si të mundet. Me lobistët andej, me propagandën këndej. Ndonjë shtrëngim dore me Kushner, një darkë me Ivankën, një ftesë këtu, dy foto atje.

Në psikologjinë e pushtetit të gjatë frika nuk është humbja e zgjedhjeve, por zhbërja e mitit të pathyeshmërisë, momenti kur populli ndalon së besuari se “ai gjithmonë ia del”.

Andaj çdo ingranazh propagandistik duhet të punojë për të vetmin perceptim: “Amerika është me mua”.

Rama nuk lufton që Trump ta dojë. I mjafton që publiku shqiptar të besojë se Amerika e do. Sepse ky besim prodhon dy efekte, së pari paralizon shpresën e ndryshimit. Dhe e dyta, i jep kohë të mbërrijë te 2027-a me samitin e NATO-s, ku çdo kritikë e aksion ndaj tij do të etiketohej si “anti-NATO”, “anti-perëndimor”, “anti-shqiptar”.

Amerikën si sinor të fatit të tij nuk e shpiku opozita, nuk e krijuan shqiptarët, por ai vetë. Qyshse ia besoi Shqipërinë si laborator eksperimental një lojtari të rëndësishëm pranë tryezave vendim-marrëse përtej Atlantikut, qyshse tentoi të korruptojë agjentin e kundërzbulimit të New York-ut McGonigal, qyshse pajtoi me pagesa të majme lobistë pranë politikës amerikane, iu tek të neutralizonte opozitën përmes tyre dhe ndërhyri me deklarata në zgjedhjet presidenciale amerikane kundra Trump për llogari sigurisht jo të popullit shqiptar.

Ndaj edhe fobinë ndaj humbjes së mundshme të legjitimitetit prej s’andejmi ia faturon në dy mënyra të kundërta shqiptarëve, duke e shfaqur një herë si paranojë të opozitës e një herë si “opium” për popullin.

Në psikoanalizë thuhet se pa fobinë, ankthi do ishte më i egër, i pamenaxhueshëm.

Për kryeministrin, Amerika nuk është aleat strategjik, por objekti fobik nëpërmjet të cilit mban nën kontroll ankthin e rënies së parakohshme nga pushteti.

“Amerika është me mua!” nuk i drejtohet Uashingtonit, por Tiranës. Pa këtë perceptim, rënia do ngjante e mundshme, pathyeshmëria do të sfidohej dhe pushteti do të mbetej pa mburojë simbolike. Prandaj letra e Trump-it, fotoja me Kushner, bordi i paqes, vizita private kaq e përfolur e Ivanka Trump mbrohen me nervozizëm prej tij dhe zëdhënësve të vet.

Kjo është arsyeja pse pushtetet e gjata reagojnë më fort ndaj dyshimeve që qarkullojnë, sesa ndaj krizave reale. Sepse u prekin fobinë, mekanizmin mbrojtës ndaj ankthit të rënies para kohe nga pushteti.

Advertisement