Connect with us

Bota

Amerika miraton ilaçin që dobëson mbi 20 kilogramë

Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave i dha dritën jeshile Zepboundit, një ilaç i ri për humbje peshe nga prodhuesi Eli Lilly, i cili tregoi gjatë provave klinike se mund t`i ndihmonte njerëzit të humbisnin më shumë se 23 kilogramë në 16 muaj.

Zepbound është prurja më e fundit në fushën e barnave të reja të fuqishme që synojnë dobësimin, e që përfshin Ozempicun dhe Wegovy të Novo Nordiskut.

FDA e miratoi ilaçin për të rriturit që vuajnë nga obeziteti e duhet të jetë në dispozicion në SHBA deri në fund të vitit me një çmim prej rreth 1060 dollarë. Një kosto e tillë mund të bëjë që ilaçi i ri të jetë jashtë mundësive financiare të shumë njerëzve në SHBA, duke pasur parasysh se kompanitë e sigurimeve shpesh hezitojnë të mbulojnë medikamentet për humbje peshe dhe Medicare, me ligj, nuk i mbulon ato.

“Kostoja aktuale është shumë e shtrenjtë për popullatën e përgjithshme,” tha mjeku kardiolog, Nishant Shah nga Universiteti Duke në Karolinën e Veriut.

“Ne duhet të jemi në gjendje t’i afrohemi pacientëve në një mënyrë të përballueshme”, shtoi ai. Në Shtetet e Bashkuara, llogaritet se nga obeziteti vuajnë 4 në 10 të rritur, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Megjithëse ilaçi ka një çmim të lartë, disa ekspertë kanë parashikuar se ai do të bëhet më i shituri në histori.

Advertisement