Kosova
Analisti i njohur kritikon qeverinë Kurti për votimet serbe
Edward Joseph, ligjërues universitar dhe njohës i rrethanave politike në Ballkanin Perëndimor, ka vlerësuar se Qeveria e Kosovës do të duhej të vazhdonte me praktikën e kahershme të lejimit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) që të mbledhë fletëvotimet e votuesve serbë me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë, meqë sipas tij tjetërsimi i serbëve të Kosovës është gabim.
“Lejimi i serbëve të Kosovës që të hedhin votat nën mbikëqyrjen e OSBE-së – të cilat dërgohen në Serbi për numërim, përmes protokollit të votimit jashtë vendit – mbron sovranitetin e Kosovës dhe ndërton vullnetin e mirë me qytetarët serbë të Kosovës” – ka deklaruar Joseph
Qeveria e Kosovës, sipas tij, duhet të krijojë politikën e vet proaktive ndaj serbëve të Kosovës, të pavarur nga lufta kundër Beogradit.
Serbia, nëpërmjet drejtorit të të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka kërkuar që zgjedhjet parlamentare serbe të planifikuara më 17 dhjetor të këtij viti të organizohen edhe në territorin e Kosovës.
Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nëse Serbia është e interesuar, duhet të propozojë një marrëveshje të veçantë në mënyrë që t’i mundësohet komunitetit serb në Kosovë të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare dhe lokale të Serbisë.
Kërkesa për marrëveshje speciale, sipas kryeministrit Kurti, duhet të vijë nga Serbia, ndërsa çdo kërkesë nga pala serbe duhet të marrë për bazë sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës.