Connect with us

Kosova

Analisti: Kurti s’është i interesuar për të qeverisur, por për të sunduar

Të dhënat preliminare të Komisionit Qendrore Zgjedhor në Kosovë treguan se pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, asnjë parti politike në vend nuk do të mund të krijojë krejtësisht vetë Qeverinë e re. Me 47 deputetë të fituar deri më tani, Lëvizja Vetëvendosje, sipas analistit politik, Agon Maliqi, do të duhej të krijonte një shumicë që respekton vendimin e sovranit.

Për krijimin e shumicës, megjithatë, sipas Maliqit, duhet të ketë një konsensus mes partisë fituese dhe ndonjë partie tjetër, gjë që aktualisht nuk po ndodh.

“Qeverisja me konsensus – siç tregon përvoja e atyre që ia lanë partinë apo edhe e presidentes aktuale – është fenomen i panjohur për Albin Kurtin, i cili nuk është i interesuar për të qeverisur, por për të sunduar”- ka shkruar ai në platformën sociale, Facebook.

Në këtë konkludim, Maliqi ka arritur bazuar në fjalimin e fundit të Albin Kurtit, pas mbylljes së qendrave të votimit.

“Del në natën e zgjedhjeve dhe i quan hajvanë ata që i duhen për te formuar qeverinë”, ka shtuar Maliqi

KQZ-ja deri më tani ka numëruar votat në 99.17 për qind të vendvotimeve. Nga rezultatet aktuale preliminare të KQZ-së kryeson Lëvizja Vetëvendosje me 40.83 për qind të votave, pasuar nga PDK-ja me 22.15 për qind dhe LDK-ja me 17.59 për qind.

Koalicioni AAK-Nisma-Konservatorët-Intelektualët gjenden në vendin e katërt me 7.47 për qind të votave.

Lista Serbe ka marrë 4.43 për qind të votave, ndërsa Koalicioni për Familjen 2.26 për qind.

Advertisement