Connect with us

Politike

Analisti: Mungesa e njerëzve në protestat e PD-së është protestë ndaj vetë opozitës

Gazetari dhe analisti Armir Shkurti deklaroi se politika shqiptare ka mbetur e ngecur te rotacioni i pushtetit, pa ofruar një vizion real për të ardhmen.

Ai u shpreh se largimi i kryeministrit Edi Rama nuk përbën zgjidhje në vetvete, por vetëm hapin e parë.

Sipas Shkurtit, në Shqipëri sot nuk ekziston asnjë parti realisht demokratike, ndërsa alternimi i pushtetit mes të njëjtave figura politike është kthyer në një rreth vicioz.

Shkurti vuri në dukje se mungesa e qytetarëve në protestat e Partisë Demokratike është një formë proteste ndaj vetë opozitës, ndërsa zhgënjimi ka përfshirë edhe mbështetës të Partisë Socialiste.

Shkurti: Jemi katandisur kështu që nesër çfarë ndodh, jo përtej nesër. Të gjithë thonë: “Të ikë Edi Rama”. A thua se, po iku Rama, jeta nis nga e para. Për mua, largimi i Edi Ramës është pika A. Unë dua të shkoj te një parti që më tregon pikën B. Sot nuk kemi asnjë parti demokratike brenda Shqipërisë. Deri më sot, të gjitha forcat ,Berisha, për shembull  ka folu për rotacion. Por rotacioni është si gjarpri që ha gjarprin e vet. Kemi Ramën që hipën në unazë dhe thotë “na çoni në BE”, zbret Rama, hipën Berisha. E kështu me radhë.

Askush nuk e ofron pikën B, fatkeqësisht. Një politikan që ka një mendim ndryshe e ka mundësinë të dalë. Ka dalë Salianji. Basha nga PD doli. Dhe këta që kanë dalë nga PD janë kundër Berishës. Në politikë kemi hyrë në 6 muajt e fundit, bëjnë programe që s’kanë lidhje me problemet e Shqipërisë, shahen me njëri-tjetrin dhe hyjnë në zgjedhje.

Unë do ndiqja një forcë politike që ma kthen sistemin tim. Ne na kanë marrë sistemin. Mungesa e njerëzve në protestat e PD-së është protestë ndaj PD-së. Edhe socialistët që janë investuar në fushatë janë të zhgënjyer. Fryma ekziston, por kush do ta bëjë?

Advertisement