Connect with us

Kosova

Analiza e “Die Zeit” për 2024: Lufta në Kosovë do jetë sërish temë

Die Zeit, gazeta javore gjermane, shkruan se rreziku i luftës në Kosovë do jetë një ndër temat kryesore edhe në vitin 2024, pikërisht për shkak të çështjeve të mbetura pezull në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ndikimit të faktorëve destabilizues në optikën e realiteteve të reja gjeopolitike.

Në analizën e gazetës gjermane kushtuar zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, lokale dhe krahinore të Serbisë, thuhet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimi Evropian (BE) besojnë se tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk mund të zbuten pa presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, i cili shihet si garant i stabilitetit në rajon.

Politologu nga Bosnja dhe Hercegovina, Vedran Dzhihiç, teksa komentoi mbi skenarët potencialë të shpërthimit të dhunës në Ballkanin Perëndimor të rrethuar nga armiqësitë etnike, theksoi se presidenti serb llogaritë  forcimin e regjimit të presidentit rus dhe presidentit kinez, dhe rënien e rendit perëndimor.

“Vuçiç nuk është i interesuar të shkojë drejt Evropës dhe demokracisë. Ai është duke vënë bast për rënien e Perëndimit dhe një rend të ri botëror në të cilin Jinpingu dhe Putini vendosin të zbatohet ligji i ushtrisë më të fuqishme” – alarmoi Dzhihiç, i cili është studiues në Instituti e Austrisë për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe profesor në Universitetin e Vienës.

Tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë bërë pjesë e një problemi më të madh të paqëndrueshmërisë në Ballkanin Perëndimor, duke qenë se nën hijen e konflikteve të mëdha, papritur shpërthejnë konfliktet e ngrira, posaçërisht në një rajon të rrethuar nga armiqësitë etnike, por edhe përqëndrimit tradicional të ndikimit midis Perëndimit dhe Lindjes. Zgjerimi i harkut të krizës që shtrihet nga lufta midis Ukrainës dhe Rusisë e deri te konflikti midis Izraelit dhe Palestinës, ndikoi në mënyrë substanciale në ecurinë e procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën kujdesin e BE-së, duke e gjetur vetën nën hijen e sfidave më të rëndësishme të sigurisë për bashkësinë e organizuar ndërkombëtare.

Për shumë vëzhgues të huaj e vendorë, perspektiva e rrëshqitjes drejt skajeve të krizës nuk mund të izolohet; derisa u krijohet mundësia lojtarëve lokalë serbë të lidhur me interesat ruse të zgjerojnë hijen kërcënuese dhe të provokojnë konflikte ndër-etnike, tani rreziku i ri-përshkallëzimit rri i varur mbi mbarë Ballkanin Perëndimor të ngjeshur nga tensionet.

Advertisement