Aktualitet
Analizë/ Nga BE-ja te Vatikani, si po i vihen të gjithë kundër Izraelit

Dje 58 ish-ambasadorë të BE-së dënuan “veprimet çnjerëzore të përditshme të Izraelit ndaj popullit palestinez në Gaza”, duke i kërkuar Brukselit të ndërmarrë veprime. Komisioni Evropian reagoi menjëherë. Propozoi pezullimin e pjesshëm të aksesit të Izraelit në programin Horizon dhe fondet për kërkimin shkencor.Ndërkohë, Holanda u shpreh e gatshme për “masa tregtare” kundër shtetit hebre. Më parë, 35 diplomatë të lartë italianë në pension i kishin dërguar një letër të hapur kryeministres Meloni, duke kërkuar njohjen e shtetit palestinez.Me këtë qëllim, dje nisi një konferencë treditore në OKB, e drejtuar nga Franca dhe Arabia Saudite (partner kyç i Perëndimit në Lindjen e Mesme), që u bojkotua nga SHBA-të dhe Izraeli.
“Është një shfaqje kundërproduktive që ndihmon Hamasin”, u përgjigj me zemërim Shtëpia e Bardhë.Samiti, i thirrur në qershor dhe më pas shtyrë për shkak të sulmit izraelit ndaj Iranit, synon të përcaktojë parametrat e një rruge për krijimin e një shteti palestinez, duke garantuar sigurinë e Izraelit.
“Nuk ka alternativë”, deklaroi ministri francez i Jashtëm Jean-Noel Barrot në fjalën e tij në Pallatin e Qelqit, “tani duhen masa konkrete”.
Përveç Parisit, janë 11 vende evropiane që kanë njoftuar njohjen e njëanshme të shtetit palestinez: Suedia, Sllovenia, Spanja, Irlanda, Bullgaria, Qipro, Republika Çeke, Hungaria, Rumania, Polonia dhe Sllovakia.Po kështu mendojnë 144 vende anëtare të OKB-së nga 193 në total. Italia, si Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania, është ende e rezervuar.
“Nuk është çështje përmbajtjeje, por kohe”, shpjegoi ministri i Jashtëm, Antonio Tajani, pasi kryeministrja Giorgia Meloni e kishte cilësuar iniciativën e Macron si “kundërproduktive”.Sipas Romës, është i nevojshëm njohja reciproke paraprake e Izraelit në Lindjen e Mesme. Një qëndrim i ngjashëm mban edhe kryeministri britanik Keir Starmer, i cili megjithatë mund të ndryshojë dhe të njohë së shpejti Shtetin e Palestinës, nën presionin e më shumë se 200 deputetëve dhe disa ministrave të rëndësishëm.Edhe Selia e Shenjtë u përfshi në debat dhe kritikoi Melonin, e cila kishte cilësuar si të parakohshme këtë nismë. “Pse e parakohshme?”, pyeti retorikisht kardinali Pietro Parolin. Bashkëpunëtori i parë i Papës shikon me simpatinë konferencën e OKB-së të nisur nga Franca dhe Sauditë.
“Shpresojmë të sjellë ndonjë fryt”, tha ai. Sekretari i Shtetit të Vatikanit u pyet dje nga gazetarët, në margjinat e Xhubileut të influencerëve katolikë, për vendimin e fundit të Macron për njohjen formale të Palestinës në shtator.
“Ne prej kohësh, siç thoni ju, e kemi bërë këtë”, deklaroi duke adoptuar dialektin romak të bashkëbiseduesve të tij.
“Për ne kjo është zgjidhja, pra njohja e dy shteteve që jetojnë pranë njëri-tjetrit me autonomi, por edhe me bashkëpunim dhe siguri”, tha ai.
Selia e Shenjtë kishte nënshkruar 25 vjet më parë një marrëveshje bazë me Organizatën për Çlirimin e Palestinës (Olp), ndërsa dhjetë vjet më parë, me vullnetin e Papa Françeskut, u nënshkrua marrëveshja me Shtetin palestinez. Qeveria izraelite atëherë shprehu “keqardhjen” e saj.Kohët e fundit, kolonët izraelitë sulmuan Taybeh, fshatin e fundit të krishterë në Bregun Perëndimor, dhe praninë e tyre nëpër vendbanime, sipas Parolinit, “nuk ndihmon në realizimin e shtetit palestinez”.Sa i përket kishës në Gaza që u godit nga ushtria izraelite, kardinali, i cili prej ditësh kishte shprehur dyshime mbi rastësinë e incidentit, vuri në dukje se “nëse duhet, mund të gjendet mënyra” për të shmangur atë që Izraeli e quajti “gabim në zjarr”.Situata në Rripin e Gazës, tha Parolin, “është e paqëndrueshme”.

