Connect with us

Politike

Andi Bejtja: Rama duhej t’i thoshte Macronit, çfarë ka*in thua kështu

Andi Bejtja është mërzitur me Edi Ramën, pse nuk reagoi ndaj Macron, që kërcënoi nga Tirana me pezullimin e vizave për Kosovën. “Po ta vini re kohët e fundit, kur Rama flet për Kosovën, qoftë në intervista personale, qoftë në konferenca shtypi me të tjerë, gjithmonë ose ka një gazetar që ka bërë një lapsus, që detyrohet ta korrigjojë më vonë, si në rastin e intervistës me Financial Times, ose gjendet një përkthyese e gjorë që përkthen shtrembër. Kjo ndodhi dhe sot (dje) me konferencën e presidentit Makron në Tiranë, kur kërcënimi i tij, në fakt jo për herë të parë, për pezullimin e vendimit të marrë për regjimin e vizave ndaj Kosovës, u trajtua më vonë si faj i përkthyeses. Por pavarësisht kësaj, Rama si frëngjishtfolës i dalluar, jo vetëm nuk gjeti asnjë gabim në përkthim, por ky keqkuptim vazhdoi për disa minuta nga të dy palët me komente të zgjatura aq sa shkoi deri në “rrëqethje mishi”. Në qoftë se gjuha e folur do ishte anglisht, Zoti dhe mund ta kishte falur, po me frëngjishten pak si zor! Duket qartë që ky “gabim në përkthim” nuk ka qenë as më shumë, një skemë loje e bërë në stërvitje, në dreka apo darka informale. Edhe Presidenti i Serbisë, Vuçiç nuk e mori parasysh përgënjeshtrimin e zyrës së Makronit për keqpërkthim. Nga Kina, ai e falenderoi Makronin për “pezullimin” duke nënvizuar se e falenderon Presidentin francez “për shumë gjëra të tjera, për miqësinë që tregon ndaj Serbisë”. Në fakt, kosovarëve iu është dridhur mishi me Ramën, kur rreth 4 vjet më parë, në një mbledhje të përbashkët me qeverinë e Kosovës në Pejë, duke bërë thirrje si rrallëherë për unifikimin e faktorit shqiptar, iu drejtua me zë kumbues anglisht “What the Fuck” Bashkësisë Europiane që po vononte jashtë çdo logjike liberalizimin e vizave për Prishtinën. Pavarësisht divergjencave me Albin Kurtin apo në mirëkuptimin më të madh e më dashamirës ndaj “strategjive të ndryshme” që mund të kenë për “shpëtimin e Kosovës”, duhej t’i thoshte “What the Fuck” më fort se katër vjet më parë, ose përkthyeses, ose Makronit. Së pari, duhet t’i thoshte “What the Fuck” sepse ky kërcënim i bërë dhe disa muaj më parë nga Makron (kujtojmë reagimin e ashpër të presidentes Vjosa Osmani), në themel ishte dhe është një kërcënim antieuropian, jo vetëm si vlerë, por edhe si procedurë. Raporterja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon është shprehur vazhdimisht se liberalizimi i vizave nuk duhet të kondicionohet me dialogun Prishtinë-Beograd. Edhe Ministria e Jashtme e Gjermanisë kur u pyet pas kërcënimit të parë të Makron nga një gazetë e Brukselit, tha se vendimi për liberalizimin e vizave për Prishtinën do të ndodhë më 1 janar 2024, duke lënë të kuptohet se kërcënimi i Makron, jo vetëm nuk gjen përkrahje, por është dhe një kërcënim bosh. Për më tepër, Rama duhet të thoshte më fort dhe më kumbueshëm “What the Fuck” sepse në harkun kohor nga gushti, kur Makron bëri kërcënimin e parë e deri tani, kemi një një akt militar serb dhe si pasojë një polic dëshmor të Kosovës. Po shyqyr Zotit e gjitha çfarë ndodhi, keqkuptim në përkthim ose jo, nuk ka ndonjë pasojë zyrtarisht apo legalisht. E vetmja vlerë qëndron në faktin për të kuptuar se çfarë kanë biseduar në një darkë informale një president francez dhe një kryeministër shqiptar që kanë respekt për Serbinë, me një gotë verë përpara dhe pa përkthyes”, shkruan ai.

Advertisement