Politike
Andi Bushati debat me Argitën për dosjen “Partizani”
Andi Bushati ka debatuar me Argita Malltezin në emisionin “Të Paekspozuarit”, në lidhje me privatizimin e kompleksit Partizanin dhe fakti që Jamarbër Malltezi arriti të blejë toka nga shumë prej pronarëve të tjerë, të cilët hoqën dorë nga prona duke e shitur, për shkak se nuk ndiheshin të sigurtë për të investuar.
Bushati tha se ky është tregues se dhëndri i Berishës, nuk e ka patur problem të marrë risk pasi i kishte “krahët e ngrohta” nga pushteti, ndryshe nga pjesa tjetër e pronarëve që i shitën tokat.
Andi Bushati: Ka dy shina kjo çështje, shina thellësisht juridike dhe impakti në publik. Nëse e mbani mend, sa u bë hera e parë që fillon çështja penale, ishte kjo gjëja që u tha, 100 metra tokë, 6 milionë euro të fituara. Kjo gjë duhet zbardhur. Kur thua dhëndri me kaq pasuri fiton kaq miliona, duhet hetuar. Në perceptimin publik, ajo që kam parë unë, aq sa mund ti hyj unë dosjes, përhtypja është kjo. Po, bashkëshorti juaj në njëfarë mënyrë ka fituar nga të qenit dhëndri i kryeministrit. Këtë sikur ma konfirmon ajo që ju thatë.
Pra pronarët e tjerë do të shisnin, sepse ndihen të rrezikuar, Edi Rama në fazën e fundit e vonoi investimin, etj, pra ishin njerëz të pasigurtë. Bashkëshorti juaj e mori këtë risk. Po të pyesësh këdo, Abi Malltezi njihet si profesor, nuk është një njeri që e ka sensin e impreditorit, që thotë do të blej toka se kam një nuhatje prej biznesmeni dhe do ja dal në fund. Pra njeriu mendon, ky njeri ka riskuar sepse e dinte që do t’ja dilte këtij projekti sepse i kishte krahët e ngrohta.
Pra investimi në këtë projekt, më bën të mendoj si gazetar, që po, këtu ka një suport politik për të pasuruar njerëzit e afërt.
Argita Malltezi: Kush e ka shitur tokën? Ata që kanë pak tokë dhe e quan më të leverdisshme shitjen sesa të presin deri në fund. Tokë është shitur dhe blerë nga Abi edhe në vitin 2018, pasi kishin dalë edhe lejet e ndërtimit. Sa i përket, si ka mundësi që Jamarbëri kishte besim, kjo ishte toka e tij. Nuk ka blerë tokën e dikujt, edhe Bektashi në tokë të tij, kanë zhvilluar pronën e tyre, kanë marrë riskun, ka qenë risk që u pa se po gjeneronte të ardhura sepse ishin shitjet në gropë. Kanë qenë 90-95% e financimit të projektit. SPAK thotë nuk ka investuar. Kanë ndërtuar në tokë private, kanë raportuar cdo gjë të detyrueshme, kanë financuar në mënyrë transparente.
Andi Bushati: Po të abstragojmë një moment, çdo qytetar që na sheh thotë sot, po të isha pronar i kësaj toke, i pafuqishëm, mos kisha pushtet nga mbrapa, do të investoja? Duke ditur që kishte familje të futura, ishte tokë sportive ,nuk lejohej ndërtimi. Pra një njeri do të sigurohej të marrë atë që më takon, jo risk më të madh. Fakti që merr risk më të madh, do të thotë se je i bindur që e ke pushtetin politik.