Shkrime
AP: Ja fytyra e vërtetë e LVV kurrizthyer
Mediumi Albanian Post ka botuar një redaksionale në lidhje me Lëvizjen Vetëvendosje dhe politikën, sic ajo e quan, të kreut të kësaj Partie, Albin Kurti
Sipas AP, “pas skandaleve të njëpasnjëshme në rrafsh të brendshëm, nga allishverishet e Albin Kurtit me Martin Berishajn me GEN-in që dikur e lidhin me trashëgiminë e Rankoviçit, nga shpërdorimi i thellë nëpërmjet Ridvan Muharremit me rezervat shtetërore, nga zbulimi i përgjimeve të shefes se grupit parlamentar Mimoza Kusari, ku shihet se ata jo vetëm bashkërendojnë çdo hap me Listën Serbe dhe Serbinë, por edhe spiunojnë kundër luftëtarëve të UÇK-së te Simiç, nga arrestimi i Nagip Krasniqit e deri te bastisja në Ministrinë e Rozeta Hajdarit për korrupsion e deri kapja e Besnik Mujecit me sasi marramendëse droge, tashme janë bërë të qarta dy gjera: Vetëvendosje jo vetëm që nuk ka lidhje me qeverisjen, por edhe është e korruptuar deri në palcë. Fundja, sot edhe vetë mbrojtësit më të zellshëm të Vetëvendosje kanë rënë në nivel vetëm për të vetëarsyetuar se ata nuk janë të përfshirë ne hajdutëri krahasuar me qeverisjet pararendëse.
Mediumi shkruan se “Ne rrafsh te jashtëm, ndërkaq, brenda një afati rekord, Albin Kurti arriti të bëjë atë qe nuk e ka arritur Serbia me një lufte speciale multimilionëshe kundër Kosovës: futjen e Kosovës nën sanksione ndërkombëtare dhe krisjen e marrëdhënieve me ShBA-në dhe BE-në.
Për më shumë, sjellja e tij e pamatur me ndërhyrjet e keqplanifikuara në Veri, e krijoi presionin ndërkombëtar për të arritur një marrëveshje pa njohje të ndërsjellët e me autonomi territoriale në qendër.
Në redaksionalen e AP thuhet gjithashtu se “Kësisoj, jo vetëm që nga Albin Kurti nuk ka mbetur asgjë nga ligjërata e premtimet e tij politike nga e kaluara, duke filluar nga bashkimi kombëtar, aleanca ballkanike kundër Serbisë, makroshengeni kombëtar, vendosja e reciprocitetit ekonomik me Serbinë e çka jo tjetër, por ai e ka degraduar pozitën ndërkombëtare të Kosoves deri në një pikë të cilën se kanë përfytyruar edhe kritiket e tij më të ashpër.
Në fund të fundit, ai u bë autor edhe i një vepre tjetër të pamenduar më herët: ai i përçau shqiptarët e Preshevës duke i trajtuar ata mbi baza të preferencave politike. Ai u fut pabesisht në mes të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut duke bërë fushatë aktive kundër BDI-se dhe duke iu përulur pastaj asaj me vizita te stimuluara kërkim faljesh të ministrave të tij pranë Ali Ahmetit. Ai i çoi marrëdhëniet me Shqipërinë deri në pikën më të ulët të bashkëpunimit, gjë që duket jo veç në anulimin e mbledhjeve të dy qeverive por edhe në mospritjen e Kryeministrit te Shqipërisë në vizitë zyrtare në Kosovë.
Përveç kësaj, ai nxori marionetën e tij personale, Glauk Konjufcën, për të akuzuar Edi Ramën se ka propozuar autonomi territoriale për serbët në Kosovë. Fushatën e vazhdueshme për tradhti kombëtare kundër Edi Ramës e ka parë pothuajse çdo përdorues i rrjeteve sociale.
Sipas AP, “Përkundër kësaj, dje u zbulua diçka nga fytyra e vërtetë e Vetëvendosjes, ndonëse në një koment margjinal, të një figure pa peshë politike, shërbëtorit të verbër të kësaj partie, Egzon Azemit. Bashkangjitur me fotografinë e tre Kryeministrave shqiptar ne rajon, një atdhetarë i shtirur, i cili e vendos partinë mbi shtetin dhe liderin mbi veten, familjen e kombin, si puna e Egzonit, shkroi se Albin Kurti është Lider i Kombit Shqiptar
Natyrisht, për Azemin, Albin Kurtit eshte lideri më i vërtetë, më i drejtë, më i bukur, më i mirë, i gjithë shqiptarisë.
Por koncepti i kombeve natyrore jo vetëm që është fashist, por edhe krejtësisht i diskredituar në çfarëdo teorie bashkëkohore të nacionalizmit.
Natyrisht, nga modele të tilla politike, pritet vetëm servilizëm, verbëri politike, llogari personale dhe nënshtrim absolut. Çështja është se personi në fjalë shpërfaq diçka më të thellë në politikën e LVV-së.
Për më shumë, kjo tregon se bashkimi kombëtar për Vetëvendosje nuk është asgjë më shumë sesa një aset simbolik për të prekur në zemrat e shqiptareve për t’ua marrë votën dhe mos ua zbatuar premtimet.
Sa të afrohet zbatimi i Asociacionit, Vetëvendosje gjithnjë e më shumë do të shpallë tradhtarë e gjithnjë e më shumë do të ligjërojë për madhështinë e kombit shqiptar. Asgjë e re dhe për t’u çuditur, mirëpo diçka është e sigurt: Vetëvendosje është duke shënuar çdo ditë trashëgiminë e saj në faqet e zeza të turpit të kombit”