Connect with us

Kronike

Apartamentet në ndërtim po blihen më rrallë

Banka e Shqipërisë ka vrojtuar se në muajin tetor treguesi që paraqet balancën e kontratave porositëse në ndërtim shënoi një vlerë negative prej 39% duke u thelluar edhe më shumë nga niveli -28% i muajit shtator.

Prej më shumë se gjatë vjetësh, balanca e kontratave porositëse në ndërtim paraqitet në territor negativ dhe po t’i referohemi anketimit të bizneseve, kontratat porositëse ende janë vazhdimisht në rënie.

Ekspertët e Bankës së Shqipërisë mendojnë se, në veçanti për ata tregues ku balancat janë në vazhdimësi negative, në analizën statistikore duhet konsideruar më shumë tendenca e ndryshimit të vlerave.

Sipas tyre, megjithëse balancat vazhdojnë të jenë negative, tendenca e tyre është në përmirësim dhe kjo mund të shpjegojë rritjen e çmimeve në sektorin e ndërtimit gjatë viteve të fundit.

Ritmet e rritjes së çmimeve të banesave duken të vështira për t’u shpjeguar në kushtet kur kontratat porositëse vazhdojnë të shfaqin vlera negative, ndonëse në përmirësim gradual gjatë dy viteve të fundit.

Që prej vitit 2013, kur Banka e Shqipërisë nisi llogaritjen e tij, në raport me periudhën bazë 2013, indeksi i çmimeve të banesave është rritur me afërsisht 110%.

Këtë vit, rritja e çmimeve po nxitet edhe nga një rritje e ndjeshme e kostove të ndërtimeve të reja, kryesisht për shkak të shtrenjtimit të materialeve të ndërtimit. Duket se ndërtuesit nuk po shohin arsye për të ulur marzhet e tyre dhe me sa duket po arrijnë ta përcjellin këtë rritje të kostove tek blerësit. Kjo po i jep një shtysë të mëtejshme rritjes së çmimeve.

Advertisement