Politike
Apeli i Posaçëm rrëzon GJKKO-në/ Xhaçka i shpëton hetimit penal për korrupsion e pastrim parash

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka rrëzuar vendimin e shkallës së parë, duke i dhënë fund përkohësisht përpjekjeve për nisjen e një hetimi penal ndaj ish-ministres Olta Xhaçka. Me një vendim të shpallur sot, më 14 maj 2025, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Iliriana Olldashi vendosi të shfuqizojë vendimin nr. 58 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, i cili kishte urdhëruar Prokurorinë e Posaçme të regjistronte procedimin penal dhe të niste hetimet për disa akuza të rënda përfshirë “Shpërdorim detyre”, “Falsifikim dokumentesh” dhe “Pastrim parash”.
Vendimi i Apelit vjen pas ankesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, duke rikthyer kështu në fuqi vendimin e saj të mëparshëm për të mos e çuar çështjen në hetim penal. Ankesa e kallëzuesit u rrëzua, duke mbyllur kështu ‘rrugën’ për hetime të mëtejshme në këtë fazë mbi akuzat ndaj Xhaçkës.
R E P U B L I K A E S H Q I P Ë R I S Ë
GJYKATA E POSAÇME E APELIT PËR KORRUPSIONIN DHE KRIMIN E ORGANIZUAR
Tiranë, më datë 14.05.2025
KOMUNIKIM PËR MEDIAN
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, sot më 14.05.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 90 akti, datë 08.04.2025 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kundër vendimit nr. 58, datë 28.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që ka vendosur:
“1. Pranimin e ankimit të bërë nga ankuesi Dh.A.B.
- Detyrimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për regjistrimin e procedimit penal dhe për vazhdimin e hetimeve për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 186 287 të Kodit Penal, mbi parashtrimin e kallëzimit penal nr. 181, datë 04.09.2023, sipas pikës 42 të këtij vendimi.
- Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 10 (dhjetë) ditëve duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.”
Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:
– Shfuqizimin e vendimit nr. 58, datë 28.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
– Rrëzimin e ankimit të ankuesit Dh.A.B., me objekt “Shfuqizimin e vendimit/shkresës nr. 22920/1 Prot., datë 27.12.2024 të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Urdhërimin e regjistrimit të procedimit penal për veprën penale të kallëzuar dhe kryerjen e veprimeve hetimore përkatëse”.

