Connect with us

Aktualitet

Apeli rrëzon kërkesën e Alibeajt për përjashtim të gjyqtares

Pak ditë para se gjykata të shprehet për bashkimin e dy Kuvendeve të PD, c’ka do të sjellë edhe zgjidhjen se cilit prej grupimeve do të mbajë drejtimin e Partisë, gjykata ka rrëzuar sot një kërkesë të demokratëve për përjashtimin e një gjyqtari të trupës gjykuese.

Gjykata e Apelit Tiranë, kryesuar në këtë proces nga gjyqtarja Edlira Petri, ka rrezuar sot kërkesën e dorëzuar më parë nga Gazment Bardhi për përjashtimin nga trupi gjykues të gjyqtares Irida Kacerja.

Në kërkesën e tij, Bardhi kërkonte përjashtimin e gjyqtares në fjalë me argumentin se kjo gjyqtare mund të paragjykojë çështjen pasi seancën e kaluar, kërkoi që përfaqësimi ligjor të jetë i rregulluar sipas statutit të vetë kësaj partie.

“Gjykata vlerëson se kërkesa për përjashtimin e gjyqtares Irida Kacerja nuk ka asnjë bazë, që të pranohet dhe se ndryshe nga pretendimi, nuk verifikohet asnjë arsye që objektivisht e bën atë të duket jo e paanshme në raport me subjektin ankues.

Referuar këtij përfundimi, sjelljes së kërkuesit në proces dhe bazuar në nenin 76, paragrafi i dytë të Kodit të Procedurës Civile, duhet aplikuar sanksioni ligjor i gjobës në shumën 10,000 lekë.” -thuhet në vendimin e sotëm të gjykatës së Apelit.

Kujtojmë se seanca që do të vendosë për bashkimin apo jo të dy kuvendeve të PD do të mbahet më 17 janar, ndërsa në përbërje të trupës gjykuese janë gjyqtarët Irida Kacerja, Genti Shala dhe Emona Muci.

Advertisement