Kronike
Aplikimi i Kosovës në BE

Spanja ka bërë të ditur se nuk do të përkrahë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Përfaqësues i Madridit zyrtar në BE, Pascual Navarro, deklaroi se Spanja nuk e njeh Kosovën si shtet dhe për këtë arsye do të votojë kundër çdo vendimi procedural dhe dhënies së statusit kandidat të Kosovës.
Megjithatë, Navarro tha se Qeveria e Spanjës “ka qëndrim konstruktiv” në lidhje me Ballkanin Perëndimor dhe mbështet dialogun dhe së fundi liberalizimin e vizave për Kosovën.
Kryeministri Albin Kurti, i dorëzoi të enjten Çekisë – vendit që aktualisht kryeson Presidencën e Bashkimit Evropian – aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE.
Ndërkohë Kryeministri i Kosovës ka pritur në një takim Sekretaren e Shtetit në Ministrinë Federale të Mbrojtjes së Republikës së Gjermanisë. Sipas njoftimit për media thuhet se Kurti shprehu mirënjohje për kontributin e çmuar që ka dhënë Republika Federale e Gjermanisë për çlirimin, pavarësimin dhe shtetndërtimin e Kosovës.
Kurti vlerësoi gjithashtu rolin dhe mbështetjen e Gjermanisë dhe ritheksoi rëndësinë që Qeveria e Republikës së Kosovës i kushton Procesit të Berlinit, si mundësia më e mirë për bashkëpunim mes vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor për integrim në Bashkimin Evropian.

