Sport
Argjentina ‘shkërmoq’ 4-1 Brazilin në Klasike dhe merr një biletë për në Botëror

Argjentina është skuadra e shtatë që siguron një biletë për në finalet e Botërorit 2026 që do zhvillohet në Amerikën e Veriut. Kampionët në fuqi të botës ‘shkërmoqën’ 4-1 rivalët e përjetshëm të Brazilit, në një ndeshje që mund të quhet edhe Klasikja e botës.
Në stadiumin “Monumental” të Buenos Aires, Argjentina u fut me dëshirën për të ‘poshtëruar’ rivalin dhe goli i parë nuk vonoi shumë. Pas vetëm katër minutave lojë ishte Julian Alvarez që zhbllokoi shifrat, para se Enzo Fernandez dhe Mac Allister të shënonin edhe dy herë të tjera në fraksionin e parë.
I futur nga stoli, Giovanni Simeone gjeti golin e katërt për vendasit. Ndërkohë për miqtë Cunha shkurtoi momentalisht në pjesën e parë. Kështu, kjo bëhet ndeshja e pestë radhazi që Brazili nuk mposht dot Argjentinën, paçka se Lionel Messi e ndoqi këtë sfidë nga ekrani për shkak të një dëmtimi.
Vlen të përmendet se bashkë me Argjentinën deri në këto çaste të kualifikuara zyrtarisht për në Kupën e Botës janë shtatë skuadra. Tre vendet organizatore që janë Shtetet e Bashkuara, Meksika dhe Kanadaja, si edhe Irani, Japonia dhe Zelanda e Re.

