Connect with us

Bota

Argjentinë: Javier Milei siguron fitore të madhe në zgjedhjet e mesmandatit

Presidenti argjentinas Javier Milei dhe partia e tij libertariane La Libertad Avanza kanë shënuar një fitore të gjerë në zgjedhjet legjislative të mesmandatit.

Me këtë fitore, Milei pritet t’i japë reformave të tij të tregut të lirë një shtysë të re, pas krizës së fundit financiare që kërcënoi t’i minonte ato.

Sipas rezultateve paraprake të Komisionit Zgjedhor, me 98 për qind të votave të numëruara, partia e Mileit siguroi 40.7 për qind të votave, kundrejt 31.7 për qind të aleancës opozitare peroniste.

Pjesëmarrja arriti në 68 për qind, më e ulët se ajo e zgjedhjeve të mëparshme të mesmandatit në vitin 2021 (71.8 për qind).

“Sot është padyshim një ditë historike për Argjentinën”, tha Milei përballë mbështetësve të tij në selinë e partisë në Buenos Aires. “Populli argjentinas vendosi të lërë pas 100 vjet dekadencë dhe të ecë përpara në rrugën e lirisë, progresit dhe rritjes”.

Rezultati pritet të forcojë pozitën e Mileit në Kongres dhe t’i hapë rrugë vazhdimit të reformave të tij radikale për të rimëkëmbur ekonominë e brishtë të vendit – e cila kishte pësuar goditje pas disa gabimeve të qeverisë.

Pasiguria e tregjeve për mbështetjen ndaj reformave të tij kishte shkaktuar muajin e kaluar një rënie të peso-s.

Fitorja e tij do të mirëpritet nga presidenti amerikan Donald Trump, aleati më i rëndësishëm i Mileit, i cili këtë muaj i erdhi në ndihmë Argjentinës me një paketë shpëtimi financiare, duke theksuar se mbështetja e mëtejshme do të varej nga rezultati i zgjedhjeve.

Sipas vlerësimeve të ekonomistëve, sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, ka premtuar deri në 40 miliardë dollarë ndihmë për Argjentinën dhe deri tani ka shpenzuar rreth 2 miliardë dollarë për të mbajtur stabilitetin e peso-s.

Washington-i e sheh Milein si një aleat kyç në Amerikën Latine, në përpjekjet për të frenuar ndikimin në rritje të Kinës në rajon.

Në këto zgjedhje u rinovua gjysma e vendeve në Dhomën e Ulët të Kongresit – 127 nga 257 në total.

La Libertad Avanza fitoi 64 mandate, duke shënuar rezultate të forta në të gjithë vendin.

Disa sondazhe para votimit kishin parashikuar një përparësi të mundshme për peronistët.

“Argjentina i dha Mileit një mandat shumë të fuqishëm, dhe tani ai ka një mundësi të madhe për të mbajtur premtimet e tij”, u shpreh analisti politik argjentinas Sergio Berensztein.

Advertisement