Bota
Arkivoli i mbretëreshës arrin sot në Holyroodhouse
Për 17 ditë me radhë Mbretëria e Bashkuar do të jetë në një zi kombëtar në nder të Mbretëreshës Elisabeth II, e cila ndërroi jetë mbrëmjen e së premtes. Mediat e huaja raportojnë se ditën e sotme pritet që arkivoli i Mbretëreshës të niset nga Balmoral rreth orës 10:00 për në Edinburg.
Mësohet se arkivoli do të arrijë në Pallatin e Holyroodhouse, rezidenca zyrtare e monarkut britanik në kryeqytetin skocez, dhe do të shtrihet në dhomën e fronit.
Në orën 10 të mëngjesit, gjashtë rojtarë të mbretëreshës së ndjerë do ta ngrenë arkivolin në një makinë funerali dhe do të fillojë një udhëtim i rëndësishëm.
Së pari, nëpër fshatrat e Royal Deeside – toka që ajo e donte – pastaj Aberdeen, Dundee dhe në fund Edinburgh ku arkivoli do të pushojë në Pallatin e Holyroodhouse përpara një ceremonie, të ndjekur nga Mbreti Charles III, në Katedralen St Giles të hënën.
Udhëtimi prej 175 miljesh (280 km) pritet të zgjasë rreth gjashtë orë dhe autoritetet po përgatiten për turmat prej qindra mijërash qytetarë ndërsa Skocia i thotë lamtumirën Mbretëreshës.
Arkivoli i mbretëreshës do të qëndrojë në Holyroodhouse deri nesër pasdite, ndërsa të martën pritet të mbërrijë në Londër.
Ndërkohë më 19 shtator arkivoli i Mbretëreshës do të hiqet nga Westminster Hall dhe funerali i saj do të bëhet në Westminster Abbey.