Connect with us

Kronike

Armë dhe drogë me vete/ Arrestohet Elvis Gaçaj, pjesëtar i klanit Duka

Policia e Tiranës ka vendosur në pranga Elvis Gaçaj, 50-vjeç dhe Marsel Dobi. Gaçaj dhe Dobi po lëviznin të armatosur, në automjet, në rrugën “Ramazan Demneri”. Gjatë kontrollit në mjetin e tyre u gjetën dhe u sekuestruan një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe një sasi lëndë narkotike kanabis. 50-vjeçari, i cili qarkullonte me armë zjarri me vete ka qenë i dënuar disa herë për armëmbajtje, lëndë narkotike dhe për vjedhje me dhunë. Elvis Gaçaj nuk është një person i panjohur për uniformat blu.

Gaçaj i njohur si pjesëtar i klanit Duka, u dyshua edhe për vrasjen e Santiago Malkos. Për këtë ngjarje ai u arrestua në Durrës më heret ne vitin 2019. Gaçaj u prangos edhe në prill të vitit 2018 bashkë me Leonard Dukën, në një apartament pranë shkollës “Partizani”. Policia e kryeqytetit gjeti një pistoletë dhe lëndë narkotike në banesë. Gjykata vendosi për dy të pandehurit ti lërë në “arrest shtëpie” ne ate kohe.

Emri i Elvis Gaçaj do të dilte në skenë në atentatin e 1 tetorit të 2015. Ai i shpëtoi masakrës ku mbetën të vrarë dy personat që ishin në makinë më të. Elvis Gaçaj akuzohet edhe për parcelat e hashashit në zonën e Shëngjergjit, si personi që i dispononte dhe financonte me lëndë narkotike.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shigjeta”, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar në planin e masave si dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se dy shtetas po lëviznin të armatosur, në automjet, në rrugën “Ramazan Demneri”, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Again”, për kapjen e tyre.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin tip “Volksëagen”, me drejtues shtetasin M. D. dhe pasagjer shtetasin E. G. Gjatë kontrollit fizik të shtetasit E.G, sherbimet e Policisë “Shigjeta” gjetën e sekuestruan një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe një sasi lëndë narkotike kanabis.

Në vijim të veprimeve procedurale, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr.2 u arrestuan në flagrancë shtetasit: E.G, 50 vjeç, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Prodhim dhe shitja e narkotikëve” si dhe M.D, 40 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim krimi”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Advertisement