Connect with us

Politike

Arratisja e Ahmetajt/ Meta: Ka vepruar me miratimin e Ramës, është ndjerë i shitur

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i ftuar në emisionin në një emision televiziv, ka folur lidhur me fletë-arrestim për ish-zëvendës kryeministrin Arben Ahmetaj. Në analizën e tij, Meta tha se s’kemi të bëjmë me një figurë pa peshë në vendimmarrje. Madje ai e konsideroi si përmbaruesi i të gjitha porosive të Ramës, ku sipas tij, kryeministri Rama i kishte deleguar pushtetin. Meta shtoi më tej se Ahmetaj ndihet i tradhtuar, i pambrojtur dhe i shitur, sepse ai më herët ka marrë garanci, por gjërat ndryshuan rrugës.

Pjesë nga intervista:

Si e patë ikjen nga hetimi të Ahmetajt?

Fakti që ne kemi sot figurën kryesore të 10 viteve në qeverinë e Edi Ramës, Ahmetajn, të arratisur, jo vetëm kaq por dhe që ndihet i kërcënuar sipas deklaratave të tij, është shumë i rëndë për vetë qeverinë dhe Edi Ramën. Nuk kemi të bëjmë me një figurë rastësore apo pa peshë në vendimmarrje, por me nr 2 real të 10 viteve të qeverisë së PS, i cili ka qenë përmbaruesi i të gjitha porosive të Ramës. I kishte deleguar pushtetin, një pjesë të madhe të kompetencave të Ministrisë së Financave, i ishte besuar Ahmetajt.

Ky është një akt i dënueshëm, vetë arratisja e një politikani. Mbetet për t’u parë në të ardhmen nëse ka bazueshmëri deklarimi i tij se po ikën se është i kërcënuar, dhe nga kush… Por në vlerësimin tim kjo është e pajustifikuar dhe rëndon me përgjegjësi Edi Ramën. Sa i takon çështjeve të tjera, Ahmetaj kudo që është, duhet të përgjigjet për gjithë akuzat që pretendohet nga organi i akuzës. Kryeministri nuk dinte gjë?

Nuk e ka dëgjuar akoma ai që nuk ka incenerator në Tiranë? Nuk e di ai që drejtori i agjencisë së prokurimeve në kryeministrisë ia ka dhënë me firmë e vulë atij dhe Ëngjëll Agaçit, që procedurat për aferën e inceneratorëve, ishin të paligjshme? Ia ka dhënë me shkrim personi i tij. Dhe përsëri ato vendime të paligjshme kanë hyrë në mbledhje të qeverisë dhe pse janë kundërshtuar nga ish-ministri i Financave në atë kohë. Është shumë e qartë që kjo aferë udhëhiqet dhe garantohet nga Rama. Me këtë aferë janë blerë zgjedhjet në 2017, 2021, zgjedhjet lokale dhe financohen edhe shumë media që përpiqen të devijojnë thelbin e hetimeve, që kjo është aferë që vazhdon.

Reagimi i Ahmetajt… A kishte mllef për kolegët e tij?

Nuk e di dhe kjo për mua nuk është e rëndësishme. Ajo që duhet se është e vërtetë dhe që unë e besoj, duke ditur dhe si funksionon Rama, është që Ahmetaj në të gjitha vendimmarrjet e tij shumë të rëndësishme, ai mesa duket ka marrë një garanci…

Është e qartë që dhe nga një pjesë e hetimit për inceneratorin e Tiranës, ai ka kundërshtuar fillimisht dhe pasi ka kërkuar t’i jepet garanci se kush e financon, dhe ka ardhur një shkresë në emër të bashkisë i ka hapur rrugë. Është e qartë që ky nuk është se nuk ka qenë i ndërgjegjshëm për pasojat, por ka marrë garanci të plotë. Tani ka ardhur në një moment që ndihet i tradhtuar dhe i pambrojtur, i shitur sepse garancitë kanë qenë të tilla që ‘ec përpara se je i mbrojtur’. Kjo nuk e lehtëson nga përgjegjësitë, por kjo mund të jetë një bazë për kërcënimet që ka marrë, por duhet t’i provojë që nëse flet për shokët pasojat do jenë shumë më të rënda për të dhe rrethin e tij.

SPAK mori lejen nga Kuvendi për të nisur procedurën e arrestimit të ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj në 14 korrik, por dokumenti i vendimit të gjykatës u firmos nga gjyqtari Erion Bani dy ditë më vonë. Shkresa iu dorëzua Policisë së Shtetit për ekzekutim pasditen e datës 20 korrik. Policia ka nisur kërkimet për ekzekutimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, të vendosur në mungesë për ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj për akuzat e “korrupsionit”, “fshehjes së pasurisë” dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale”. Janë kryer sërish kontrolle në adresën e banimit të Ahmetajt, si dhe në shtëpitë e disa të afërmve në Tiranë dhe Durrës./dosja.al

Advertisement