Aktualitet
Arratisja e Ndocit, Bregu: Gabim i togës së shoqërimit, janë hedhur shumë para për t’u arratisur
Gazetari Sokol Bregu, duke folur për arratisjen e bujshme të të burgosurit Altin Ndoci nga spitali i Durrësit dy ditë më parë, u shpreh se ai ka përfituar nga familjarizimi me policët e togës së shoqërimit dhe hodhi dyshime se për arratisjen e tij janë hedhur shumë para.
“Ka bërë 5 vjet në burg, i japin mundësi familjarizimi me policët aty. Ai shoqërohet dy herë në javë në seancë në Tiranë.
Të burgosurit çdo herë mendojnë se si të largohen nga burgu. Është toleruar në burg, se është lënë në burgun e Durrës jo në burgun 313. Lënia e tij në burgun e Durrësit shton buxhetin se sillet në Tiranë dhe kthehet në Durrës, në vend që të kalojë nëpër tunelin që lidh burgun me gjykatën, por i jep alternativa për tu larguar.
Burgjet në Shqipëri janë të sigurta se kanë disa rrethime. Ai e ka ditur se si do të ikte. Ka parë çregullsinë e gardinanëve. Infermieri dhe mjeku kanë patur një raport me të burgosurin dhe nuk u ka shkuar në mendje se do të arratiset. Është gabim i togës së shoqërimit. Ata kanë qenë të familjarëzuar me të.
Emri i tij ka dalë në SKY ECC, prej tij Nuredin Dumani u fut në konflikt me Talo Çelën. Janë 5 vrasje për të cilat akuzohet dhe janë shumë. Janë hedhur shumë para edhe për t’u arratisur ose për të dalë si i sëmurë shëndetësor. Mendoj se gabimi është i policëve”- tha gazetari Sokol Bregu.