Politike
Arratisja/ Sigurimi donte të bëhesha spiun
TIRANË- Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka pranuar mbrëmjen e sotme se Sigurimi i Shtetit ka dashur ta bëjë bashkëpunëtor, madje ka futur edhe provokator, mirëpo tregon se kjo tentativë e tyre ka dështuar. Meta thotë se ai nuk ka pranuar që të jetë pjesë e Sigurimit të Shtetit, duke i qëndruar versionit të tij se nuk është ai “spiuni I.M”.
“Kishim një Ilir Metaj në klasë, babai i tij ishte drejtor i sigurimit të Tiranës. Ai vinte te shtëpia e ime dhe unë shkoja te shtëpia e tij. Sigurimi i Shtetit ka dashur të më bëjë dhe bashkëpunëtor, kjo gjë nuk ka ndodhur. Ka futur provokatorë dhe ka dështuar. Unë nuk kam pranuar të bëhem as anëtar i Partisë të Punës, që më interesonte se isha sekretar Rinie. E gjithë kjo përpjekje për të hapur një diskurs të tillë për të hapur një deklaratë që unë e kam treguar është trilluar si një histori. U shtohet një emër nga mbrapa për të trilluar të gjithë historinë. Ka prova shkresore për këtë gjë. Sigurimi kur të bënte, i kanë treguar këtu’, tha Meta, në një intervistë televizive.
Për Metën, e gjitha ka ardhur pasi ai vetë i ka treguar një deputeti socialist historinë se çfarë ka ndodhur në klasën tij, që një shoku i tyre është denoncuar nga një spiun në klasë te Sigurimi i Shtetit që do arratisej dhe nga kjo e kanë përdorur më pas për ta sulmuar. Ai sjell në vëmendje edhe historinë me ish-profesorin e tij, Anastas Angjeli, që ai e ka “sinjalizuar” se duhet të kishte kujdes kur fliste pasi në klasë kishte një spiun, e kjo për Metën tregon mjaft qartë se ai nuk mund të kishte qenë kurrsesi spiuni.
“I kam thënë zotit Anastas Angjeli, një ditë pas ekzekutimit Çaushesku deklaroi se “situata është keq, si këtu te ne”, dhe kur kam dalë nga klasa, i kam thënë “më gjëra të tilla në klasën tonë, mos thuaj”, e bëra që të ruhej dhe të kishte kujdes”, tha vijoi Meta.
Ish-presidenti tha se akuzat ndaj tij janë të sajuara nga një person me inicialet A.H. dhe kryeministri Edi Rama. Sipas tij, ka qenë pikërisht A.H. që ka dërguar emailin anonim që Autoriteti i Dosjeve të nisi verifikimin kundrejt premtimeve false të Ramës, ndonëse ka zgjedhur që të mos i tregojë emrin.
“ A.H është personi që ka qenë personi në zyrën e tij që ka marrë përsipër falsifikimin e dosjes i cili ka dërguar një e-mail anonim dhe ka pritur këtë e-mailin dhe njëkohësisht ka treguar se ku ishte kjo pjesa që Meta me përgjues përgjonte shokun e tij. Unë po të them që avokatit tim nuk i jepet edhe sot e kësaj dite nga Autoeriteti vendimet që janë marrë që ia kanë çuar Kuvendit, nuk ia japin ndërkohë që e kanë detyrim. Këtu është një letër që më 28 korrik, 2 ditë pasi u tromaks Lindita. Vasili i ka dërguar kërkesë për informacion. Dhe ajo i ka kthyer, në të tregohet se Autoriteti ka bërë verifikime të paligjshme, duke marrë përsipër edhe pa qenë gjeneralitetet e mia mbi të. A.H është një person që ishte premtuar se do të bëhej kryetar i Autoritetit. Ishte një torollak”, tha Meta.
Identiteti i spiunit ‘I.M’ ka trazuar politikën, socialistët akuzojnë se pas tij fshihet Ilir Meta madje kanë miratuar edhe një ligj në Kuvend që i hapë rrugë verifikimit të politikanëve të nivelit të lartë që janë shqyrtuar më herët nga Komisionet “Mezini”-“Bezhani” të rifuten në sitë, sepse ligji e pengonte më parë. Tashmë Autoriteti i Dosjes, që nga dita kur ligji të hyjë në fuqi do të ketë mundësi të hapë dosjet dhe të verifikojë nëse ‘I.M’ është Ilir Meta apo ajo. Për këtë socialistët bashkuan votat në Kuvend me grupin e Alibeajt. Një gjë e tillë është komentuar nga ana e Berishës dhe Metës si një sulm politik, për shkak të frikës nga opozita e tyre. Për këtë, Meta ka ngritur edhe një padi ndaj Autoritetit të Dosjeve.
Meta: Rama la basketbollin se një sportist tjetër e ‘shqepi’ dhe nga dëshpërimi iku, e njëjta do i ndodhë në politikë
“Bëri sfidë me një basketbollist më të mirë dhe ai e shqepi dhe ai nga dëshpërimi e la fare”, tha Meta.
Meta: Rama e ka ndryshuar emrin nga Edvin në Edi për shkak të problemeve serioze që ka
“Rama ka ndryshuar emrin për probleme serioze. A isha në dijeni kur ishin në aleancë? E kam dëgjuar, e kam marrë me sportivitet, por do flasim në të ardhmen”, tha Meta.