Kronike
Arrestimet e SPAK/ Oficerët lëviznin me taksi për të mos rënë në sy, operacioni po vazhdon në Spanjë
Gazetari Xhevahir Zhabina i ftuar në emisionin “Të Pakespozuarit” në MCN ka zbuluar detaje të reja nga operacioni i SPAK i ndodhur këtë të hënë në qytetin e Elbasanit.
Sipas Zhabinës, operacioni ka qenë i suksesshëm dhe policia është treguar e kujdesshme që të arrijë të arrestojë të gjithë personat, por ndërkohë operacioni është në zhvillim pasi është duke ndodhur edhe në vende të BE.
“Mbahen sekret për faktin se shtrihet edhe në vende të tjera të Europës. Në dijeninë time operacioni shtrihet edhe në Spanjë. Në këtë rast kemi të bëjmë me një grup kriminal që dyshohet që trafikonin lëndë narkotike në disa vende kryesore.
Njoftimi zyrtar për këtë çështje është vendosur të jepet nesër, ajo që bën përshtypje është që të gjithë bëhen bashkë në Elbasan si trafikantet gjyqtarët dhe policët. Sot kemi një personazh si Dedan Gjoni që kudo që ka punuar ka qenë i lidhur me krimin e organizuar dhe e njëjta gjë ka ndodhur edhe në Durrës ku i ka nxjerrë grupit rival në pritë një person që e nxori nga burgu për transferim. U tregoi orën e saktë në mënyrë që ta vrisnin.
Ka qenë një operacion që s’ka rënë edhe shumë në sy ku shumë oficerë kanë lëvizur edhe me taksi nëpër qytet dhe kanë ndjekur një mënyrë tjetër për të mos rënë në sy. Ata po kërkonin në disa zona dhe në fund ka rezultuar që ishte i suksesshëm. Nesër pritet të dalin edhe emrat e të konfirmohet sa i suksesshëm ishte. Atëherë nëse kjo konfirmohet atëherë ata që janë nën akuzë janë automatikisht të arrestuar.”