Politike
Arrestimi i autorit që plagosi efektivin/ Balla: Zero tolerancë
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka përgëzuar policinë e shtetit për arrestimin e autorit të plagosjes së efektivit të Shqiponjave, Edlir Alleshit.
Klered Bozhanaj është arrestuar në banesë. Balla ka paralajmëruar edhe ndyrshime të reja në Kodin Penal duke kërkuar mbështetjen e sistemit të drejtësisë.
“Përgëzoj Policinë e Shtetit për arrestimin e autorit të plagosjes së efektivit të shqiponjave mbrëmjen e djeshme në Tiranë.
Është momenti të kujtoj se kush nuk i bindet urdhërit/thirrjes së ligjshme të policit, ose më rëndë akoma e kundërshton me forcë, guxon ta fyejë, ta agresojë, ta kanosë, ta godasë apo larg qoftë t’i rrezikojë jetën në ushtrim të detyrës apo për shkak të detyrës, duhet ta ketë të qartë që toleranca do të jetë ZERO.
Do bëj gjithçka që një politikë/praktikë e re penale të zërë vend në këtë drejtim, duke kërkuar mbështetjen e sistemit të drejtësisë. Kuadri ligjor është aty në Kodin Penal (me ndryshimet që kam mbështetur vetë në Kuvend në vitin 2019) dhe në ligjin për Policinë Shtetit.”- tha Balla.