Connect with us

Politike

Arrestimi i Belerit/ Rama: Do të ishte një skandal nëse nuk do të kishte prova

Kryeministri Edi Rama ka komentuar sërish arrestimin e kandidatit të koalicionit ‘Bashkië Fitojmë’ për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri. Në një intervistë për gazetarin Berat Buzhala në Nacionale, Rama tha se ky veprim e ka surprizuar pasi nuk e priste, ndërkohë që shtoi se mesa është informuar, hetimet për Belerin kanë nisur disa javë para se dyshja të përplaseshin në distancë me replika e kundërpërgjigje. Gjithsesi, kreu i qeverisë tha se nëse arrestimi i Belerit është bërë pa prova, do të jetë një skandal i madh, nisur nga ajo çfarë vetë kandidati përfaqëson.

Pjesë nga fjala e Ramës: 

Unë u befasova siç u befasuat dhe ju. Ky është një hetim i pavarur për të cilin nuk kemi pasur akoma mundësi të marrim imformacione. Me sa kemi mundur të mësojmë nga Policia e Shtetit, bëhet fjalë për një hetim që kishte filluar kohë më parë, para se të fillonte polemika ime për këtë personazh. Dhe u nxit në fakt nga një intervistë e tij për mediat greke për helenizimin e Himarës. Dhe bëhet fjalë për një hetim që ka prova dhe do të jetë vërtet një skandal nëse nuk ka prova të mjaftueshme për të bërë këtë hetim. Bëhet fjalë për një person që është në garë dhe nëse nuk ka prova për të ndërmarrë këtë veprim, do të ishte vërtet skandaloze. Është shumë delikate, kjo do të ishte delikate në të gjitha rastet edhe sikur të bëhej fjalë për një kandidat të Opozitë në Selenicë apo Vlorë apo në Lezhë apo në Korçë, por fakti që ky është një kandidat që përfaqëson, sipas tij, edhe disa ndjenja të veçanta, elementë të veçantë që lidhen me minoritetin grek në Shqipëri, është shumë problem. Naturisht, duhet të jetë një veprimtari e provuar. 

Kandidati i ‘Bashkë Fitojmë’ për Bashkinë e Himarës është lënë ditën e sotme në ‘arrest me burg’ nga gjykata e Vlorës. Më pas, Beleri është sjellë në Tiranë dhe dosja e tij do t’i kalojë për gjykim Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (SPAK). Beleri u arrestua në lokalin e tij nëë Himarë dhe akuzohet për shitblerje votash. Ai vetë ka mohuar të jetë përfshirë në këtë veprimtari. Arrestimi i Belerit ka sjellë një sërë reagimesh nga Shqipëria e Greqia. Opozita e konsideron arrestim me urdhër nga Rama, ndërsa Greqi ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tij.

Advertisement