Politike
Arrestimi i Breçanit, ironizon Salianji: Nuk kuptohet ku fillon krimi e ku mbaron shteti
Deputeti Ervin Salianji ka reaguar pas aksionit të SPAK dhe lëshimit të 11 urdhër-arresteve, ku përfunduan në pranga edhe drejtues të lartë të policisë.
Në një postim në rrjetin social, Salianji shkruan se arrestimet e fundit të drejtuesve të lartë të policisë konfirmojnë qindra denoncimet e opozitës për lidhjet e drejtuesve të policisë me krimin. Ndërsa më tej shprehet se depërtimi i krimit në politikë dhe përdorimi i bandave si shtabe elektorale ka prodhuar këtë situatë ku përditshëm shpërfaqen copëza të ngjarjeve ku nuk kuptohet ku fillon krimi e ku mbaron shteti.
“Arrestimet e fundit të drejtuesve të lartë të policisë konfirmojnë qindra denoncimet e opozitës për lidhjet e drejtuesve të policisë me krimin, për përfshirjen e tyre në veprimtari kriminale, për promovimin e shefave të policisë në bazë të lidhjeve me krimin dhe promovimit prej krimit dhe jo mbi bazën e meritës dhe performancës në luftë me krimin!
Depërtimi i krimit në politikë dhe përdorimi i bandave si shtabe elektorale ka prodhuar këtë situatë ku përditshëm shpërfaqen copëza të ngjarjeve ku nuk kuptohet ku fillon krimi e ku mbaron shteti, apo akoma më keq koklavitjen dhe mpleksjen në një të shtetit me krimin!
Si përherë kemi inkurajuar e inkurajojmë institucionet ligjzbatuese për të luftuar pa dallim krimin, depërtimin dhe lidhjet e tij në nivele të larta të organeve ligjzbatuese apo të politikës!”, ka shkruar Salianji.