Connect with us

Shkrime

Arrestimi i Erion Veliajt, e çara që rrezikon Ramën

Nga Dritan Hila

Kishte kohë që dëshpërimi i opozitës për të parë një të çarë në murin e PS-së ishte bërë obsesion, pasi e kishin të qartë që në gjendjen e para 10 shkurtit, nuk e mundnin dot PS-në. Dhe goditja e tyre ishte përqendruar në dy drejtime: Ai dytësori ishte me formimin e partiçkave të reja, me shpresë se do t’i hiqnin ndonjë tullë murit të pakapërcyeshëm të kundërshtarit.

Kurse sulmi parësor u përqendrua mbi Erion Veliaj. Dhe jo më kot. Duke e parë se nuk kishte shpresë për ndonjë shizmë të tipit Ilir Meta viti 2003, që i çoi në opozitë socialistët, tani shpresonin që të arrinin të njëjtin përfundim, por me krah të kundërt.

Arrestimi i Veliajt është një thikë me dy tehe. Bën bindëse akuzat për korrupsion masiv në radhët e qeverisë. Por goditja më e madhe lidhet me numrat. Veliaj ishte një makinë elektorale në qarkun e Tiranës. Në disa zgjedhje radhazi ia kishte dalë të fitonte bindshëm për vete dhe për partinë, duke bërë që në zgjedhjet e fundit ta thellonte diferencën me Këlliçin në 60 mijë vota.

Veliaj nuk ishte më ojëfisti i Mjaft, por një aset i PS-së, i cili shpeshherë merrte qëndrime më majtiste se politika zyrtare e PS-së. Veliaj ishte brezi i dytë pas eurosocialistëve që sillte një mbushje të radhëve të PS-së me gjak të ri. Sikurse ishte njeriu i cili në qëndrimet e tij kundër Berishës ishte më ekstremist se Rama.

Arrestimi i tij është e çara që priste opozita në digën e PS-së, për të shkaktuar të njëjtin fenomen sikur në vitin 2005 që solli humbjen e Nanos, me ndryshimin e vetëm që tani nuk do të votojnë një fraksion, por ka shumë mundësi që zgjedhësi i majtë mos dalë në votime duke ulur masën kritike të votuesve të nevojshëm për fitore.

Arrestimi i Erion Veliaj është një goditje e madhe për PS-në, çka vë në dyshim paanshmërinë e SPAK-ut, ku në njërën anë të peshores kemi funksionarë të PS-së të përndjekur deri në raste qesharake si ai i kryetarit të Bashkisë së Devollit apo Fushë Arrëzit, e për të vajtur te numrat dy të PS-së, kurse në krahun tjetër vazhdon lebetitja për një që duhet të ishte në burg që në 2011-ën dhe një tjetër mashtrues ordiner.

Kjo ka bërë që Themisit, perëndeshës së drejtësisë t’i ikë peshorja e gjitha në njërën anë, duke e bërë më të ngjashëm me kandarin.

Veliaj do përgjigjet për akuzat ndaj tij, por ndërkohë ka ca akuza të tjera që ka vite që bëhen e që SPAK-u nuk ka guximin të hapë dosjen. Deri kur? Apo edhe SPAK-u pret sa të mbarojnë zgjedhjet? (Dritare.net)

Advertisement