Connect with us

Politike

Arrestimi i Metës, si u ndoq nga agjentët e BKH nga kufiri deri në Kamëz

Mesditën e sotme, me urdhër të SPAK, u arrestua ish-Presidenti i Republikës, Ilir Meta. Ky i fundit u arrestua te Kthesa e Kamzës nga forcat operacionale dhe ato të BKH-së, ndërsa pamjet e publikuara nga Ntv.al, tregojnë momentet kur Presidenti i PL-së u nxorr forcërisht nga makina nga agjentët e policisë dhe ato të BKH.

Nuk dihet nëse ka pasur një përplasje mes Metës dhe policëve që mbanin maska në fytyrë që çoi në reagimin e fortë të tyre, për të nxjerrë forcërisht nga automjeti ish-Preisdentin.

Tedi Blushi ngriti dyshimet se në momentin e arrestimit të Metës nuk kanë qenë të pranishme efektivët e Gardës që e ruajnë atë për shkak të funksionit që ka pasur si President i Republikës.

Por si u arrestua Ilir Meta?

Nga momenti kur Ilir Meta ka hyrë në territorin shqiptar nga Kosova, dy automjete të BKH dhe agjentëve të policisë e kanë ndjekur automjetin ku ndodhej ish-Presidenti deri në momentin kur është vendosur ndërhyrja për ta arrestuar.

Gjatë momenteve që ish-Presidenti ka qenë në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ka pasur një përplasje të fortë mes tij dhe agjentëve të BKH-së. Meta ka hedhur akuza të forta drejt SPAK dhe ambasadës së SHBA në Tiranë.

Meta është ndaluar me akuzat e korrupsionit, fshehje të të ardhurave dhe pastrim parash. Ndaj Metës kishte nisur një hetim pasuror, ndërkohë që janë disa çështje që SPAK po heton ish-Presidentin, përfshi edhe një lobim në SHBA.

Advertisement