Connect with us

Aktualitet

Arrestimi i nënës lehonë në Shkodër, debate në Kuvend

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me parlamentin, Elisa Spiropali ka kërkuar që gruaja të lirohet sot nga burgu. Ajo u shpreh se ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me avokatin e nënës lehonë ndërsa shtoi se për ngjarjen ka reaguar që dje pasi nuk përdor çështje sensitive si kjo për politikë.

“Së pari dhe mbi të gjitha dua të them që Djana Baçja duhet liruar menjëherë. Gjykatësi që ka marrë kërkesën duhet ta lirojë sot, jo nesër. Unë s’kuptoj se cili prokuror, Gjykatës etj arreston, kërkon ndërrimin e gjobës me burgim për një nënë lehonë. Duhet që institucionet të përshpejtojë procedurat që ajo grua të dalë nga burgu dhe të shkojë te fëmija e saj. S’kemi lënë seancën për të bërë politikë. Unë kam folur me avokatin dhe jam në kontakt të vazhduar. Gratë mbahen më gjatë në burg sesa burrat. Kjo padrejtësi sistemike duhet të adresohet dhe kjo s’bëhet me propagandë bëhet me ligj dhe me ndërgjegjen e atyre prokurorëve dhe gjyqtarëve.”- tha Spiropali.

Arrestimi i nënës lehonë në Shkodër ka nxitur debat mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës në Kuvend. Deputetja e PD-së, Dhurata Çupi është shprehur se duhej patjetër një debat me ministrin e Drejtësisë për këtë çështje.

“Është një ngjarje e rëndë, e dhimbshme , e rënde, dëshpëruese. Ne këtu duhet të kemi një seancë debati për ngjarjen e gruas lehonë në Shkodër që u arrestua. Ne duhet të kemi një diskutim me ministrin e Drejtësisë. S’duhet të ketë asnjë seancë tjetër përpos kësaj. Drejtësia është e padrejtë me njerëzit e thjeshtë. Këtu para disa ditësh s’ngeli deptet pa uruar 8 marsin për like dhe sot s’ka asnjë reagim. Kështu duhet të niste sot seanca plenare.”- tha Çupi.

Ndërsa për deputeten e PS-së, Klotilda Bushka është shprehur se s’ka nevojë për debat ndërsa është shprehur se po merren masat.

“Është i parashikuar qartësisht se një nënë lehonë s’mund të mbahej me një fëmijë në burg. Se ku ka çaluar çështja i takon organeve të drejtësisë nuk ka nevojë për debat. Gjithsesi jemi në një mendje me ju, këto ngjarje nuk mund të ndodhin. Jemi mbledhur, kemi diskutuar dhe siç kemi vepruar gjithnjë do të bëjmë punën tonë që rastet e tilla mos të përsëriten. Thënë këtë nuk është hera e parë që ne do duhet të veprojmë dhe do të jemi të kujdesshëm. Marsi nisi me vrasjen grave, erdhi  i përgjakur. Dhe ne do të vijojmë të marrim masat përkatëse me çfarë mund të bëjmë më mirë. U bej thirrje organeve të drejtësisë të përshpejtojnë zgjidhjen e çështjes në fjalë.”- thotë Bushka.

 

Advertisement