Connect with us

Kronike

Arrestohen 2 persona në Tiranë, vinin baste online nëpërmjet celularëve

Dy persona janë arrestuar pasi ushtronin aktivitetin e paligjshmë të vënies së basteve sportive nëpërmjet celularëve. Operacioni policor i koduar “Games” u realizua nga komisariati i policisë Nr.6.

Personat e arrestuar janë një 31-vjeçar me inicialet E.S dhe një 22-vjeçar me inicialet E.V, të dy banues në Tiranë. Këtë veprimtari 2 personat e kryenin në 2 lokale në zonën e Unazës së Re. Gjatë operacionit u sekuestruan celularët në të cilat u gjetën faqe bastesh sportive.

Njoftimi i Policisë:

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 6, operacioni policor i koduar “Games”. Ushtronin veprimtarinë e paligjshme të vënies së basteve sportive, nëpërmjet celularëve, vihen në pranga 2 shtetas. Sekuestrohen, në cilësinë e provës materiale, celularët që shërbenin për këtë veprimtari të paligjshme.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive të kundërligjshme në fushën e lojërave të fatit, pas një pune të mirëfilltë hetimore, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Games”.
 Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit E. S., 31 vjeç, dhe E. V., 22 vjeç, banues në Tiranë.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në dy lokale në Unazë të Re, u konstatuan këta shtetas, në celularët e të cilëve, shërbimet e Policisë gjetën faqe dhe linqe që shërbenin për vënien e basteve sportive. Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, celularët që shërbenin për këtë veprimtari të paligjshme. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Advertisement