Kronike
Arrestohen trafikantët e “Myslym Shyrit” dhe “21 Dhjetorit”, sekuestrohet 1 kg kokainë
Tre persona janë arrestuar nga policia e Tiranës, që ka sekuestruar mbi 1 kg kokainë.
Në pranga u vunë Robert Domi 30 vjeç, Andrea Dema, 24 vjeç, banues në Shijak dhe Genis Mustafa, 27 vjeç, banues në Tiranë.
“Në rrugën ‘Vangjush Furrxhi’, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar automjetin me drejtues shtetasin Genis Mustafa dhe pasagjerë shtetasit Andrea Dema dhe Robert Domi. Gjatë kontrollit në automjet është gjetur një pako me lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me peshë 1 kg e 52 gramë. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, siguronin lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë dhe më pas furnizonin disa rrjete shpërndarësish, në rrugën ‘Myslym Shyri’, në Rrugën e Durrësit dhe në zonën e 21-Dhjetorit”, njoftoi policia.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 kg e 52 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 4 aparate celulare, 1400 euro dhe 78 900 lekë.
Aksioni i koduar “Three stars” u krye nga efektivët e seksionit të hetimit të narkotikëve në drejtorinë e kryeqytetit në bashkëpunim me ata të operacionales dhe prokurorinë e Tiranës.