Connect with us

Kronike

Arrestohet kambisti në Durrës/ Ja çfarë zbuloi policia

DURRËS– Një 61-vjeçar është arrestuar në kuadër të operacionit të koduar ‘Informaliteti’. Në pranga ka përfunduar kambisti, i cili sipas forcave të policisë, kryente këmbim valutor pa leje. Policia ka sekuestruar rreth 2 milionë lekë të reja, të cilat i shërbenin kësaj veprimtarie të jashtëligjshme. 61-vjeçari do të hetohet për veprat penale “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, pasi u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në rrugë, duke ushtruar veprimtarinë si kambist, pa licencën përkatëse

NJOFTIMI I POLICISË: 

Vijon operacioni policor i koduar “Informaliteti”, goditet një rast tjetër i paligjshmërive në fushën e krimeve ekonomiko-financiare. Ushtronte në mënyrë të kundërligjshme, aktivitetin e këmbimit valutor, si dhe fshihte të ardhurat e përfituara prej tij, vihet në pranga 61-vjeçari (kambist). Sekuestrohen rreth 2 000 000 lekë të rinj dhe 15 000 euro, që i shërbenin kësaj veprimtarie të kundërligjshme. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Durrës, në vijim të kontrolleve, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve ekonomike dhe vënien e autorëve të tyre, përpara përgjegjësisë ligjore, në vijim të operacionit policor të koduar “Informaliteti”, konstatuan dhe goditën një rast tjetër të fshehjes së të ardhurave dhe të informalitetit. Si rezultat, u arrestua shtetasi F. M., 61 vjeç, banues në lagjen nr. 4, Durrës, për veprat penale “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, pasi u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në rrugë, duke ushtruar veprimtarinë si kambist, pa licencën përkatëse. Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan rreth 2 000 000 lekë të rinj dhe 15 000 euro, që i shërbenin kësaj veprimtarie të kundërligjshme. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Advertisement