Connect with us

Kosova

Arroganca e Kurtit/ Sipas Limaj, ja cilat janë pasojat për Kosovën

Kryetari i Nismës Socialdemokrate në Kosovë, Fatmir Limaj, ka theksuar se sjellja arrogante e qeverisë së kryeministrit, Albin Kurti ndaj partnerëve të saj, po e dëmton Kosovën.

Sipas tij, Serbia ka kaluar tja hedh pa sanksione edhe pas ngjarjeve në Banjskë, për shkak të sjelljes së Qeverisë së Kosovës dhe arrogancës së Albin Kurtit.

“Ka humbur besueshmëria e bashkëpunimit me miqtë, ka kaluar koha e ndëshkimit dhe e shpërblimeve, duhet të jemi të qartë” – theksoi Limaj.

Ai shtoi se Kosova ka një interes jetik për ekzistencën e saj, duke mbajtur një partneritet me ata që e kanë ndihmuar deri më tani.

“Ata nuk janë armiqtë tanë, gjithmonë kanë respektuar interesat tona kombëtare, por ndryshimi eshte se ne nuk dinim t’i ‘përshtatnim’ interesat kombëtare në vizionin strategjik të partnerëve tanë për rajonin. Nuk mund të ndiqni interesat e vendit tuaj jashtë ombrellës së interesave strategjike të partnerëve në rajon, sepse bota po ndryshon, rajoni po zgjerohet dhe ju duhet të jeni të shkathët dhe të mençur” – theksoi Limaj, duke pyetur se cilat janë qëllimet e Kosovës dhe si mund të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës nëse nuk bashkëpunon me aleatët e saj.

“Qeveria e Kosovës dëshiron të dalë jashtë kësaj ombrelle për të dërguar një mesazh – unë jam shtet sovran dhe vendos vetë. Dhe kush jemi ne që të vendosim vetë? Kush jemi ne, si arritëm këtu? Si mund të bëhet Kosova anëtare e Këshillit të Evropës, me çfarë? Ne nuk kemi naftë apo bombë bërthamore, ne dhe partnerët tanë jemi në rrugën tonë për në Këshillin e Evropës. Qëllimet që kemi, integrimi në NATO, në Bashkimin Evropian, në Këshillin e Evropës, në OKB nuk mund të arrihen pa miq dhe partnerë”, tha Kryetari i Nismës Socialdemokrate

Limaj gjithashtu theksoi se në këtë situatë marrëdhënia ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ndikon në interesat strategjike të aleatëve dhe se si ata e shohin rajonin.

“Më vjen keq që Qeveria e Kosovës flet në një gjuhë që partnerët tanë nuk e kanë kuptuar dhe që na ka kushtuar shumë, teksa, dëmi është i pallogaritshëm. E shohim çdo ditë, në vazhdimësi, se kemi humbur një pozitë të madhe në bashkësinë ndërkombëtare, falë disa veprimeve të pamenduara, të papjekura dhe tërësisht populiste të Prishtinës”  – potencoi Fatmir Limaj

 

Advertisement