Connect with us

Aktualitet

Artan Hoxha: Ervis Martinaj bëri marrëveshje me Vangjush Dakon

TIRANË– Gazetari Artan Hoxha ka deklaruar se i zhdukuri i shumëkërkuar, Ervis Martinaj ka bërë marrëveshje edhe me ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako. I ftuar në “TPZ”, Hoxha tha se në momentin që Martinaj u arrestua, pas masakrës së ndodhur në ish-Bllok, ku mbeti dhe vetë 40-vjeçari i plagosur, hyri në lojë ‘Bast Arena’. Hoxha u shpreh se ‘Bast Arena’ do të ishte fuqizimi i Martinajt në lojërat e fatit online, pas mbylljes së tyre fizikisht. Sipas gazetarit, pas kësaj faqeje, qëndronte Dako, që sot është i shpallur non-grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

“Së pari duhet të gjejmë përse u mbyllën bastet. Kjo përkon me momentin kur Ervis Martinaj u plagos dhe u arrestua pas ngjarjes në Bllok në 4 nëntor 2018. Në media u shfaq një reklamë, Bast Arena, e cila mendohej se do të kontrollonte të gjithë tregun e lojrave të fatit dhe do të kalonin nga sistemi me pika fizike, në sistemin online që të kontrolloheshin edhe nga organet tatimore. U bë gati edhe ligji, u diskutua edhe në parlament. U bë gati që bota e lojërave të fatit, që dominohej nga Ervis Martinaj, 2613 pika basti kishte Martinaj, të kalonte online. Në botërorin e kaluar, ishte sponsor kryesor në reklama në të gjithë mediat pa përjashtim. Në 2018, kur u arrestua Martinaj u fut kjo Bast Arena. Kush ishte Bast Arena? Ishte një person që është sot non-grata, jo këtej nga PD, por nga PS-ja, Vangjush Dako. Ishin edhe disa personazhe të tjera. Turqit ishin mbulimi. Rama, i vënë para përgjegjësisë, duke ditur çfarë përfaqësonin lojrat e fatit, që ishin 70 milionë euro në vit dhe punësoheshin 14 mijë njerëz, kryeministri pa lajmëruar askënd, një ditë të bukur i futi një firmë. Menjëherë, kam dalë dhe kam thënë që tani që ka ndodhur kjo gjë Martinajt, do të keni zhvillime te lojërat e fatit. Të mërkurën kryeministri bëri audiencën me këtë presidentin e FSHF-së, Armando Duka. Ervis Martinaj, fati dhe historia e tij, duam apo nuk duam, ishte e lidhur me industrinë e lojrave të fatit. Kur u shpallën të paligjshme, Martinajt iu rritën të ardhurat sepse nuk paguante taksa, i merrte të gjithë fitimin për vete,”- deklaroi Hoxha. 

Deklarata e Hoxhës, vjen disa orë pasi sot, Policia e Shtetit ka ushtruar kontrolle në Fushëkuqe, Vlorë dhe në Shijak, ku janë kërkuar gjurmë e të dhëna që do të mund të hedhin dritë mbi fatin e të shumëkërkuarit të zhdukur pa gjurmë që prej 9 gushtit, Ervis Martinaj. Fushëkuqja e Kurbinit, zona ku dhe jeton familja e Martinajt ishte e rrethuar për pesë orë gjatë ditës së sotme. Por, deri më tani nuk është raportuar për gjetjen e ndonjë të dhëne të re në lidhje me fatin e ish-bossit të lojërave të fatit. Policia e Shtetit doli nga Fushëkuqja me armë e municione luftarakë, por pa ndonjë gjurmë konkrete që mund të zgjeronte hetimet për 40-vjeçarin e zhdukur.

Advertisement