Politike
Artan Hoxha fajëson SPAK: Task Forca për krimin zgjedhor dështoi, është bërë masakër në Fier

Gazetari Artan Hoxha e ka konsideruar si një dështim Task Forcën e ngritur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për të hetuar krimet zgjedhore në zgjedhjet parlamente të 11 Majit.
Artan Hoxha tha se nuk ka ndodhur më parë që një ministër të marrë 24 mijë vota apo kandidatë të panjohur me mbi 20 mijë vota. Sipas tij, të gjitha këto vota masive për kandidatë të panjohur, janë akuza ndaj SPAK.
Ai shtoi më tej se në Qarkun e Fierit ku PS e drejtuar nga Belinda Balluku fitoi 12 mandate, është bërë masakër.
“E dëgjova me shumë vëmendje Dumanin dhe tha se SPAK funksionon mbi bazën e efikasitetit, rezultateve dhe besueshmërisë. Edhe Falcone ishte pak më modest tek mesazhet publike. Cili është efikasiteti? Task forca e zgjedhjeve çfarë efikasiteti dha, hetoi gjë? Hetove gjë, apo zbulove gjë nga këta që akuzojnë njeri tjetrin për blerje votash? U more me ca parti të vogla. Nuk e kuptova efikasitetin në këto zgjedhje.
Efikasiteti i Task Forcës me mbështetje të madhe britanike, sot është zero. Kemi vetëm shifra dhe statistika. Më thoni një rast të administratës? Dhe një që ndaluan në Shkodër, nxituan ta lirojnë. Rezultate? Çfarë rezultatesh?! Besueshmërinë e ke se të ka mbështetur mazhoranca.
Qeveria harton çdo vit rekomandime dhe Prokurori i Përgjithshëm dhe kreu i SPAK raportojnë në Kuvend, edhe pse kemi parë deputetë shurdhmemecë që nuk bëjnë pyetje, por me zi presin që të mbarojë dhe t’i bëjnë ca lëvdata. Ato që bën qeveria janë rekomandime, nuk janë detyrime. Baza e prokurorisë është ligji, jo rekomandimi. Ata prokurorët paguhen nga 8-9 mijë euro në muaj. Sigurisht që ndaj tyre pritshmëria është e madhe dhe efektshmëria është e madhe. Nuk ka pse ti vijë thartë nga sugjerimet e qeverisë.
Prokurori i Përgjithshëm thotë më mungojnë 35% e prokurorëve, çka do të thotë se 35% e qytetarëve të vendit nuk marrin drejtësi. Vitin e kaluar munguan mbi 40%, por të mungojnë 35% do të thotë që 35% të qytetarëve i ke lënë në mungesë të drejtësisë. Sigurisht që duhet të plotësohen dhe kushte.
Nuk kemi parë ministër me 24 mijë vota apo deputetë të panjohur me mbi 20 mijë vota. Të gjitha këto vota për kandidatë të panjohur, janë akuza ndaj SPAK. Është bërë masakër dhe në Fier. Këto janë rezultate konkrete që tregojnë dështimin e task forcës për krimin zgjedhor.” – tha Artan Hoxha.

