Kosova
Artan Muhaxhiri: Kapitullimi politik dhe moral i Kurtit
Analisti politik, Artan Muhaxhiri, në një prononcim ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk do të pranojë të flasë e aq më pak të nënshkruajë një marrëveshje për Asociacionin e Komunave Serbe brenda saj, sepse kjo do të çonte atë drejt kapitullimit politik. Kjo sepse sipas Muhaxhirit, Kurti është e pamundur që të bëjë një kthesë 180 gradëshe dhe të pranojë lehtësisht Asociacionin.
“Kompromisi i Kosovës për njohje mund të bëhet vetëm nëse ka edhe kompromis të Serbisë për Asociacion. Është e qartë që për shkak të bagazhit historik, simbolik, religjioz dhe emocional, Serbia nuk mund ta pranojë shtetin e Kosovës në mënyrë të thjeshtë, njëjtë si vendet tjera njohëse. Mirëpo, as Kosova nuk do ta themelojë Asociacionin pa ndonjë përfitim të madh i cili do ta relativizonte peshën e tij politike”, është shprehur Muhaxhiri
Mirëpo sipas tij “Zajdenica” është shndërruar në një kriter të patejkalueshëm për bashkësinë ndërkombëtare. Për analistin politik, gjithashtu është vështirë e besueshme që Albin Kurti do të pranojë sot të bisedojë veçmas për Asociacionin dhe t’i hijezojë temat tjera. Ky do të ishte kapitullim i tij politik dhe moral” – ka vlerësuar Muhaxhiri.