Connect with us

Politike

As Lapaj, as Shabani as daja i tij/ Ja kush e merr mandatin e Nismës “Shqipëria Bëhet”

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka vendosur ditën e sotme se mandati i koalicionit Nisma “Shqipëria Bëhet” i ka kaluar Kleana Xhuvelit.

Celibashi tha se pretendimi i “Shqipëria Bëhet” se kandidatët e listës së mbyllur kanë dhënë dorëheqjet dhe KQZ i ka miratuar këto dorëheqje me heshtje, nuk qëndron.

“Në lidhje me çështjen e parë, pra me vendimin për dhënien e mandatit për koalicionit ‘Nisma Shqipëria Bëhet’, po bëj një listim të fakteve, që në gjykimin tim janë ato që përcaktojnë këtë vendimmarrje dhe janë shqyrtuar nga ana ime. Pra me vendimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, për shqyrtimin e kërkesës së koalicionit, është miratuar regjistrimi i këtij koalicioni.

Po ashtu është miratuar edhe lista shumëemërore e kandidatëve të koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet. Po ashtu janë dorëzuar në KQZ 12 kërkesa për dorëheqje, të kandidatëve në listën e mbyllur. Ata kanë paraqitur kërkesën për dorëheqje dhe kanë thënë se nuk do merrnin mandatin e deputetit nëse do të rezultonin fitues nga këto zgjedhje.

Më pas kandidati Zeqir Kordhoni ka dorëzuar një deklaratë të dytë, që shpreh gatishmërinë për ushtrimin e funksionit të deputetit.

Më pas kandidatja Kleana Xhuveli ka depozituar në KQZ një deklaratë të dytë për revokimin e dorëheqjes së paraqitur.

Ka dy momente ligjore që përcaktojnë vendimmarrjen në lidhje me zgjedhjen e kandidatit fitues në këtë çështje.

Pretendimi juaj se kandidatët e listës së mbyllur kanë dhënë dorëheqjet dhe KQZ i ka miratuar këto dorëheqje, nuk qëndron.

Me miratimin e listave të kandidatëve, sipas afateve dhe procedurave të këtij kodi, ky process konsiderohet i mbyllur dhe në asnjë rrethanë juridike nuk mund të rikonsiderohet.

Përfundimi është se nuk mund të ketë dorëheqje nga kandidimi, pasi listat janë miratuar. Dhe kjo është kështu për çdo lloj shkaku. Kështu që duke qenë se Kleana Xhuveli është renditur para Zeqir Kordhonit në listën e mbyllur të koalicionit, i takon asaj të marrë mandatin e këtij koalicioni.

Përfundimisht shpall kandidat fitues zonjën Kleana Xhuveli”, tha Celibashi.

Advertisement