Shkrime
Asgjë e re nga Fronti i Lindjes në “Botën serbe”
Nga Enver Bytyçi
Të dielën u zhvillua parada e asaj që quhet “Bota serbe”! Ceremonia e kësaj parade u zhvillua në Beograd dhe morën pjesë deputetët dhe zyrtarë të lartë të Serbisë, Republikës Srpska, si dhe ata të Listës Srpska të Kosovës. U përfaqësuan në këtë asamble paradë edhe përfaqësuesit e Kishës Ortodokse të Serbisë, si dhe anëtarët e akademive të Shkencave të Beogradit dhe Banja Lukës. U konstitua një organ jo legjitim, por që paraqet rrezik për paqen dhe stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor. U miratua dhe një dokument, të cilin parlamenti i Republikës Srbska do ta miratohet në korrik, d.m.th në kohën kur nga këta serbë u krye para 25 vitesh Masakra e Srebrenicës.
Manifestimi i 8 qershorit ishte një lloj demonstrimi force kundër Perëndimit, kundër popujve dhe shteteve të tjera të rajonit e sidomos kundër Kosovës, shqiptarëve, si dhe kundër boshnjakëve dhe Bosnjë-Hercegovinës. Ai i ngjante mitingut të madh të Milosheviçit në Fushë-Kosovë më 28 qershor 1989. I ngjan memorandumeve të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Serbisë për asgjësimin e elementit shqiptar në Ballkan e sidomos në trevat e ish-Jugosllavisë. Por ka një qasje edhe si ato të memorandumeve të Sinodit të Kishës Ortodokse të Serbisë.
Aty u bënë bashkë të gjitha elitat serbe në Ballkan me qëllim që të mobilizohen për mbrojtjen e asaj që Aleksandër Vulin e quan “Bota serbe”!
sigurt është se të gjithë politikanët serbë në Serbi, në Republikën Srpska dhe në Kosovë duan të strehohen nën çatinë e nacionalizmit ultrashovinist. Milorad Dodik, Aleksandër Vulin, kryeministri i ri i Serbisë, ministri Ivica Daçiq e disa të tjerë janë më entuziastë për këtë, sepse i besojnë Botës ruse të Vladimir Putin dhe Aleksandër Dugin në Moskë. Dodik sapo u kthye nga Petersburgu, ku takoi presidentin Putin. Nuk ishte rastësi vizita e tij dhe takimi me Putin pas përpjekjeve të fundit për shpalljen e Republikës së Pavarur Srpska dhe në prag të këtij takimi të madh nacionalist të së shtunës në Beograd.
Të gjithë këta ishin shumë optimistë për atë që po ndodhte dhe janë gati që të ndezin sërishmi një konflikt tjetër në Ballkan në emër të Serbisë së Madhe.
Por, presidenti Vuçiq ishte i dyzuar. Ndërsa fliste për Botën serbe, thoshte se respekton DAYTO-n dhe vendimet e tij për krijimin dhe funksionimin e shtetit të Bosnjë-Hercegovinë. Foli për unitet, për kohët e vështira që e presin Serbinë, por u angazhua për “paqe”! Pra, vetëm Vuçiq shfaqi dualitetin e vet, me të cilin ka operuar gjatë një dekade. Dhe me këto dy fytyra e kanë besuar perëndimorët. Mendon se do ta besojnë sërishmi. A do t’ia dalë? Nuk besoj! Sepse janë bashkëpunëtorët e tij në qeverisje po e dekonspirojnë atë vazhdimisht. Sepse është Kisha Ortodokse dhe Akademia serbe që vendosin për rrugën që do ndiqet. Ai pushtetin e tij e mbron me nacionalizmin e këtyre aktorëve në Serbi.
Dhe në thelb është i detyruar të veprojë sipas programeve kishtare dhe akademike të përkrahura nga shumica dërmuese e politikanëve serbë, pra për “Botën serbe” edhe me mjete ushtarake. Për pasojë nuk ka ndodhur të shtunën diçka e paparashikuar! Gjithçka që u bë pardje në Beograd, është skenar i praktikuar nga Serbia për më shumë se një shekull! Asgjë e re nga Fronti i Lindjes së “Botës serbe”!