Shkrime
Asgjë e re nga fronti i veriut në Kosovë
Mijëra qytetarë serbë të Kosovës vazhdojnë punën në institucione paralele, të financuara dhe menaxhuara nga shteti i Serbisë, që nga paslufta më 1999, ku Beogradi ndan për ta dhjetëra-miliona euro çdo vit.
Komuna, kompani e ndërmarrje publike, çerdhe, shkolla fillore, të mesme, si dhe universitete publike, të financuara drejtpërdrejt nga Qeveria e Serbisë, ka në shumë qytete të Kosovës, ku jetojnë pjesëtarë të komunitetit serb.
Këta mekanizma, edhe pse jolegalë sipas ligjeve të Kosovës, nuk janë ndalur së vepruari, pavarësisht se Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008.
Një marrëveshje për shuarjen e tyre është arritur në prill të vitit 2013, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve, por zbatimi i saj i plotë në terren lë për të dëshiruar.
Një pjesë e komunitetit është integruar vetëm në disa institucione, si policia apo gjyqësia.
Në kuadër të dialogut, Kosova dhe Serbia janë pajtuar edhe për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që do të kishte “juridiksion të plotë” në fusha të caktuara, si: planifikimi hapësinor, shëndetësia, arsimi, zhvillimi ekonomik e kështu me radhë.
Megjithatë, Qeveria e Kosovës nuk e ka zbatuar kurrë këtë marrëveshje, me arsyetimin se mund të kërcënojë funksionalitetin e shtetit.
Në një takim në Ohër, më 18 mars, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë pajtuar për zbatimin e një marrëveshjeje të re drejt normalizimit, të mbështetur nga Bashkimi Evropian.
Kjo marrëveshje, mes tjerash, parasheh që komunitetit serb në Kosovë t’i sigurohet një “nivel adekuat i vetëmenaxhimit”. Saktësisht se për çfarë bëhet fjalë, nuk dihet ende.
Në një raportim para Kuvendit të Kosovës, më 23 mars, Kurti ka thënë se “vetëmenaxhimi nuk është as vetëqeverisje, as vetadministrim” dhe ka shtuar se nuk mund t’iu shmanget marrëveshjeve të mëhershme me Serbinë.
I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë në një intervistë se Kosova e ka obligim që menjëherë të fillojë me zbatimin e pjesës së marrëveshjes për normalizim, që lidhet me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Gjithashtu Gabriel Escobar, ka thënë se strukturat paralele të Serbisë që funksionojnë në Kosovë, do të futen në kuadrin ligjor të Kosovës kur te formojë Asociacionin.
Por, ku gjenden këto struktura dhe si funksionojnë?
Sipas të dhënave publike të Qeverisë së Serbisë, në territorin e Kosovës, Serbia ka mbi 20 komuna paralele aktive.
Disa prej tyre kanë pak staf, por ato më të mëdhatë, si komuna paralele e Prishtinës me seli në Gracaniçë apo komunat paralele në veriun me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – kanë staf më të madh dhe kryejnë detyra të përditshme, ngjashëm si komunat zyrtare dhe të ligjshme të krijuara nga institucionet e Kosovës.
Që nga përfundimi i luftës së viteve ‘98-‘99 e deri më sot, Serbia ka ruajtur sistemin e saj arsimor në Kosovë. Më shumë se 70 shkolla të të gjitha niveleve, të menaxhuara e financuara nga Serbia, funksionojnë në territorin e Kosovës.
Serbia udhëheq gjithashtu edhe universitete në Kosovë. Universiteti paralel i Prishtinës që ndodhet në Mitrovicë të Veriut, nuk i jep llogari shtetit të Kosovës dhe nuk ka fare lidhje me sistemin arsimor në Kosovë. Financohet dhe menaxhohet nga Ministria e Arsimit e Republikës së Serbisë.
Ambulanca, spitale dhe qendra të tjera shëndetësore financohen dhe menaxhohen nga shteti i Serbisë në pjesë të ndryshme të territorit të Kosovës.
Qendra të ndryshme kulturore, librari e biblioteka janë të shumta në lokalitetet ku shumica e banorëve janë serbë. Në Graçanicë ushtron funksionin Teatri Popullor i Prishtinës – institucion paralel i financuar dhe menaxhuar nga institucionet e Serbisë.
Në territorin e Kosovës janë aktive edhe ndërmarrje dhe kompani të ndryshme publike të Serbisë.
Me marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord për të integruar disa struktura paralele serbe brenda sistemit juridik dhe kushtetues të Kosovës.
Shume serbe që kanë punuar në organizatën “Mbrojtja Civile”, e cila ka operuar në komunat në veri, janë integruar në institucionet e Kosovës në vitin 2016. Shumica e pjesëtarëve të kësaj strukture janë integruar në Policinë e Kosovës.
Në nëntor të vitit të kaluar, pjesëtarët e komunitetit serb në veri kanë dhënë dorëheqje nga të gjitha institucionet e Kosovës, në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar makinat me targa serbe në targa RKS, apo Republika e Kosovës.