Politike
Ashpërsimi i masës ndaj Berishës, reagon Partia e Lirisë: Proces i dhunshëm
Petrit Vasili e cilësoi procesin e hapur ndaj Berishës si të dhunshëm dhe të paligjshëm. Ai shprehet se për Berishën bënë një proces të paligjshëm, ndërsa nuk vepruan në të njëjtën mënyrë me Saimir Tahirin dhe Arben Ahmetajn, kur duhet që atyre t’iu hiqej mandati.
“Proces i qartë i dhunshëm i paligjshëm. Mendoni se ia bëjnë liderit të opozitës. Pse për Sali Berishën ka proces të paligjshëm ndërsa për Tahirin dhe Ahmetaj ka një proces të ligjshëm. Është iluzion i drejtësisë së re që vepron në mënyrë të paanashme. Të gjitha kanë rënë sot. Me shumë të drejtë, shqiptarët mund të thonë: Ishim më mirë kur ishim më keq”, thotë Vasili per Fax News.
Pyetjes se a ndihet e kërcënuar Partia e Lirisë, Vasili i përgjigjet se të kërcënuar sot janë të gjithë qytetarët, pasi po goditet në mënyrë të paligjshme kreu i opozitës.
“A ndihet e kërcënuar Partia e Lirisë? Sot të kërcënuar jemi të gjithë qytetarët. Pa diskutim që opozitarët që konsiderohen si armiq, paligjshmëria vepron mbi ta. Nuk kanë patur se ç’të ndërtojnë mbi Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin. Janë përpjekur me vite me rradhë. Meta u mor në SPAK si person në dijeni. Kam një pyetje retorike: Po ky Edi Rama është ndonjë që ka dijeni për inceneratorët që ka firmos?! Po ky Erion Veliaj a ka dijeni?! Po këta të dy nuk thirrën. Jo vetëm kanë dijeni por kanë përgjegjësi. Nuk është hipotezë. Si mund të thonë shqiptarët. Këta nuk u thirrkan si person në dijeni”. shton deputeti.
Vasili komentoi edhe marrjen në SPAK të gazetarit të Ora News, Elton Qyno. Ai thotë se Qyno u mor në mënyrë të dhunshme dhe u mbajt me orë të tëra që të tregonte se ku i ka marrë informacionet.
“Ku është parë që një gazetar të merret në mënyrë të dhunshëm dhe të mbahet me orë të tëra ku i ka gjetur informacionet. Çdo kategori: i varfëri i merret shtëpia. Gazetari i hiqet liria. Sali Berishës i hetohet pse ke firmos vendimin e Edi Ramës. Ka qenë Edi Rama që ka firmosur vendimin”, u shpreh Petrit Vasili.