Shkrime
Askush nuk fitoi, sepse Kosova nuk kishte më çka të fitonte
Zgjedhjet përfunduan. Dhe gjithçka që mund të thuhet tani është: mirëupafshim në zgjedhjet tjera. Nuk ka gatishmëri për të themeluar qeveri. Të gjithë janë më të interesuar ta lexojnë gabim Gjykatën Kushtetuese sesa ta marrin përgjegjësinë që u erdhi në derë.
Askush nuk fitoi, sepse Kosova nuk kishte më çka të fitonte. Pjesëmarrja ishte e lartë për ata që jetojnë këtu, por zëri i tyre tingëlloi si përshëndetje e lodhur, jo si kërkesë për ndryshim. Nuk ishte zemërim, sepse zemërimi kërkon fuqi. Kjo ishte një votë nga njerëz që thjesht nuk kanë më fuqi për të besuar.
Asnjë parti nuk doli fituese, sepse asnjë nuk ofroi më shumë se një ide të përsëritur, të konsumuar, të ndryshkur. Vetëvendosje u zhvesh nga shpresa e madhe që dikur e kthente në lëvizje, e mbeti thjesht një administratë me arrogancë të përkthyer në izolim diplomatik.
E vertetë është rënia e zërit të mbështetjes në rrugë, në kafe, në tavolinat ku dikur flitej me pasion për një kauzë. Tani nuk flitet. Tani nuk besohet. Tani përmendet vetëm si një administratë që s’mbajti dot peshën e fjalëve që dikur frymëzuan edhe ata që nuk dinin të artikulonin shpresën ndryshe veçse me votë.
Në anën tjetër, PDK rikthehet. Por ky nuk është rikthim me të cilin duhet mburrur. Është një rikthim i heshtur, i ftohtë. Nuk është se qytetari vendosi ta falë të pafuqinë që kjo parti po tregon, por thjesht e krahasoi me të tashmen dhe nuk pa më dallim thelbësor. Pati rritje, pati rikthim në komuna kyçe, por nuk pati entuziazëm. Ishte më shumë një zgjedhje për mungesë zgjedhjesh. Ferizaj u fitua pa balotazh, por pa festë. Drenasi ngatërroi rrëfimin politik dhe kjo është më e frikshme se çdo humbje. Eshtë fitorja që nuk gëzon askënd.
LDK, nëse mund të flitet për të në kohën e tashme, është partia që ka vend në histori, por ende spo e merr veten e një partie që shpjegon të ardhmen. Ka mbetur si një dhomë pritjeje për nostalgjikët që ende besojnë se politika mund të bëhet me tone të buta, me fjalë të mençura, por pa substancë. Fitoi komuna, mori deputetë, por nuk mori asnjë zemër të re.
E pamundur të urresh LDK-në, por po aq e pamundur të besosh në të se e do pushtetin për ta ndërruar dështimin e vetvendosjes. Dhe në një kohë kur qytetari është i uritur për drejtim, jo për kujtime, kjo është një formë letargjie më e heshtur se çdo humbje elektorale.
AAK mbetet aty ku ka qenë gjithmonë: në zona të caktuara ku mbiemri Haradinaj mban peshë më shumë sesa çdo program politik. Nuk është më e pranishme në mendjen e elektoratit kombëtar. Është një strukturë që ekziston për të mos u zhdukur, por pa potencial për të dominuar, për të udhëhequr apo për të frymëzuar. Është e zënë në kurthin e një biografie që nuk e lë të rilindë si ide.
Lista Serbe, ndërkaq, është e vetmja që nuk lë hapësirë për dyshime. Votuesit e saj janë të pranishëm, të mobilizuar, të organizuar, të disiplinuar. Kjo nuk është demokraci. Është kontroll. Është një përplasje politike e fshehur pas procesesh zgjedhore që i shërbejnë më shumë Beogradit sesa integrimit të serbëve në Kosovë. Në këtë lojë, Prishtina dhe çdo qeveri mbetet vetëm spektatore e një realiteti që nuk ka guxim ta përballet, as ta emërtojë me gjuhën që meriton.
Dhe ndërsa partitë llogaritën mandate, qytetari llogarit vetë. Në kokë, në heshtje, në shtëpi, në ikje. Ai e di se zgjedhjet nuk po ndryshojnë asgjë. Sepse nga zgjedhjet në zgjedhje nuk ndryshojnë njerëzit, nuk ndryshon gjuha, nuk ndryshon kultura e pushtetit, por vetëm radhitja në ulëset e parlamentit. Dhe radhitja është çështje e teknikës. Ndryshimi është çështje e vizionit. Dhe Kosova nuk ka vizion politik. Ka rotacion në mungesë të opsioneve reale. Mund të ketë nderrim pushtetesh që nuk sjellin përmbysje të asaj që duhet përmbysur, mënyrës si qeveriset, si premtohet, si heshtet.
Pjesëmarrja mbi tetëdhjetë përqind e votuesve rezidentë nuk është provë se ka një shprese. Është provë se qytetari i Kosovës, ndonëse i lodhur, ende ndjen një detyrim moral ndaj idesë së shtetit. Por sa herë që voton dhe sheh të njëjtin rezultat, të njëjtën gjuhë, të njëjtin zhgënjim, ky detyrim venitet dhe kthehet në ndjenjën më të rrezikshme që një shtet mund të përjetojë. E ka të fort mospërfilljen.
Ndaj kjo nuk është krizë politike. Është boshëllëk. Është asgjësim i ngadaltë i lidhjes mes qytetarit dhe shtetit të tij. Jo sepse ky qytetar është dorëzuar, por sepse e ka kuptuar se nuk ka më asgjë për të fituar. Nuk fiton as ai, as vendi i tij, Kosova.
Mirupafshim në zgjedhje. Askush nuk do të bëjë qeveri për qeverisje. Të gjithë duan qeveri për pushtet.