Kosova
Asnjë milimeter jashtë/ LVV-ja sulmon emisarin Lajçak
Lëvizja Vetëvendosje ka ashpërsuar kritikat ndaj përfaqësuesit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Një ditë para takimit të kryenegociatorëve në Bruksel, partia në pushtet po e konsideron Lajçakun si të anshëm në procesin e dialogut, sidomos pas deklaratave se “draft-statuti i ish-ekipit menaxhues duhet të jetë pikënisje për Asociacionin”.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, tha se qëllimi i Lajçak është që të ofrojë një version ekstrem për Asociacionin dhe jo një version real dhe të thotë “ejani takohemi për të bërë një kompromis”.
Mirëpo, kjo sipas deputetit Muja është e papranueshme. Ai thekson se ndërmjetësuesi i dialogut, por edhe të tjerët duhet të kuptojnë se Asociacioni nuk mund të kalojë asnjë milimetër jashtë kornizës kushtetuese të Kosovës.