Connect with us

Kosova

Asociacioni/ ‘Po s’e bëri Albin Kurti, do e bëjnë të tjerët pa e pyetur

Themeli i vazhdimësisë së krizës në pjesën veriore të Kosovës të banuar me serbë etnikë rëndon mbi bashkësinë e organizuar ndërkombëtare që asnjëherë nuk është marrë seriozisht me çështjen e strukturave paralele serbe që ngrenë krye herë-herë në këtë zonë, ndërsa tensionet sporadike në veriun e trazuar kapitalizohen nga liderët në Kosovë e Serbi për të zgjeruar hijen e pakënaqësive të qytetarëve dhe për të forcuar legjitimitetin brenda.

Në këtë vijë e ndërton argumentin e tij historiani dhe studiuesi i lartë në Institutin Leibniz të Evropës Lindore dhe Juglindore (IOS) në Regensburg të Gjermanisë, Konrad Clewing, i cili kujton se “konflikti i ngrirë” në veri ka mbetur në të njëjtin nivel që prej vjeshtës së vitit 1999, atëherë kur bashkësia ndërkombëtare kishte penguar procesin e shuarjes së strukturave paralele dhe ndarjes së deritashme të pjesës veriore të Kosovës.

Në lupën e një prej vëzhguesve më të njohur të çështjeve ballkanike, vakuumi institucional në veri është shumë i dobishëm për lulëzimin e ekonomisë informale dhe krimit të organizuar të drejtuar nga Lista Sërpska me përkrahjen dhe financimin e Serbisë, ndërsa gjendja e pasigurisë në veri i shërben gjithmonë presidentit serb Aleksandër Vuçiç që nëpërmjet “çështjes së Kosovës” të forcojë regjimin e tij në Beograd.

Historiani gjerman nënvizon gjithashtu se edhe kryeministri kosovar Albin Kurti gjendjen e krijuar e sheh si një mundësi për të luajtur me “kartën e mbrojtësit” të interesave kombëtare në veri, duke tentuar që të “errësojë” performancën e dobët qeverisëse, ndërsa shton njëkohësisht se kreu i ekzekutivit nuk i ka llogaritur mjaft mirë “efektet gjeopolitike” pas agresionit të paprovokuar rus në Ukrainë.

Ai ka theksuar se argumentet e kryeministrit Kurti në aspektin e refuzimit kategorik të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe “nuk janë aspak bindëse”, ndërsa shprehet i sigurt se nëse qeveria kosovare nuk e kryen detyrën për të hartuar shpejt një propozim serioz, sigurisht që do ta bëjnë të tjerët, por pa i përfillur interesat e Kosovës.

Advertisement