Connect with us

Kosova

Associated Press për postin e ri të Vulinit, lidhja e fortë me Rusinë

“Qeveria e re e Serbisë do të përfshijë ish-shefin e shërbimit inteligjent, i cili mban lidhje të ngushta me Rusinë dhe që është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara”- kështu shkruan Associated Press, duke komentuar përbërjen e qeverisë së re të Serbisë, e cila u bë e ditur nga Millosh Vuçeviç.

Aleksandër Vulin do të jetë njëri nga disa nënkryeministrat, ka thënë Millosh Vuçeviç gjatë shpalljes së përbërjes së kabinetit të tij të ardhshëm, i cili pritet të votohet në Kuvendin e Serbisë në ditët në vijim.

Serbia po kërkon zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por ka ruajtur marrëdhënie miqësore me Rusinë dhe ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës për luftën në Ukrainë, kujton AP.

Përfshirja e Vulin në qeverinë e re tregon për vazhdimin e lidhjeve të ngushta me Rusinë pavarësisht rrugës së shpallur pro-BE nga Serbia.

Në korrik të vitit të kaluar, SHBA vendosi sanksione ndaj Vulin, duke e akuzuar atë për përfshirje në dërgesat e paligjshme të armëve, trafik droge dhe shpërdorim detyre.

Shtetet e Bashkuara, Zyra e Departamentit të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja tha se Vulin përdori autoritetin e tij publik për të ndihmuar një tregtar serb të armëve nën sanksionet e SHBA-së që të lëvizte dërgesat e paligjshme të armëve përtej kufijve të Serbisë.

Vulin akuzohet gjithashtu për përfshirje në një rrjet të trafikut të drogës, sipas autoriteteve amerikane. Ai dha dorëheqjen nga posti i drejtorit të agjencisë serbe të inteligjencës BIA pas vendosjes së sanksioneve ndaj tij teka më parë ka qenë shef i ushtrisë dhe policisë.

Formimi i qeverisë në Serbi vjen disa muaj pas zgjedhjeve të tensionuara parlamentare në dhjetor, në të cilat partia e djathtë populiste në pushtet e presidentit Aleksandar Vuçiç fitoi shumicën e vendeve në asamblenë prej 250 anëtarësh.

 

 

 

 

 

Votimet e manipuluara nxitën tensione politike për shkak të parregullsive të pretenduara por edhe të raportuara nga vëzhguesit vendas dhe ndërkombëtarë.

Advertisement